Duhani reklamohet në media, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor mbyll sytë para fakteve
Emisioni “Xhadat” zbuloi se si disa media në Shqipëri reklamonin në faqet e tyre online një produkt duhani. Ndërkohë ligji “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit” në nenin 13 e ka të shkruar qartësisht se:
“Ndalohen reklama dhe promovimi i produkteve të duhanit nëpërmjet medias së shkruar, transmetimeve televizive e radiofonike dhe shërbimeve të shoqërive të informacionit”.
Për këtë arsye, pas transmetimit të këtij rasti, “Xhadat” iu drejtua me një kërkesë zyrtare për informacion Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor për të mësuar nëse ky institucion ka identifikuar të tilla reklama në media dhe çfarë masash ka marrë.
Këtyre dy pyetjeve, ISHSH iu shmang, duke evidentuar vetëm marrjen e 130 masave administrative nga periudha 1 janar – 30 nëntor 2022 ndaj subjekteve ku është konstatuar konsum i produkteve të duhanit.
Në lidhje me masat që do të merren pas transmetimit të kësaj problematike në emisionin “Xhadat”, ndonëse faktet ishin të qarta, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor kërkoi kohë.
“Bazuar në Programin Vjetor të Inspektimeve 2023, trupat inspektuese të ISHSH do të inspektojnë gjatë muajve janar dhe shkurt monitorimin e zbatimit të Ligjit ‘Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit’. Inspektimet do të monitorojnë zbatimin në tërësi të ligjit në fjalë dhe sigurisht edhe të nenit problematikës së ngritur nga ana juaj. Gjithashtu ISHSH në bashkëpunim me Institucione të tjera po kryen identifikimin me qëllim marrjen e masave dhe ndalimin e reklamave të produkteve të duhanit online”.
Dhe deri sa ky institucion të veprojë për marrjen e masave, kontratat për shfaqjen e reklamave “me siguri” do të kenë përfunduar.