Pse nuk e marrim seriozisht Amerikën?! – Nga Indrit Vokshi

Me 15 dhjetor 2015, ambasadori amerikan Donald Lu në Konferencën Gjyqësore Kombëtare të Shqipërisë iu drejtua gjyqtarëve e iu tha: “Nëse e keni orën më të shtrenjt se makina ime, ju jeni të korruptuar”. Pas kësaj deklarate, gati 200 gjyqtarë dhe prokurorë janë eleminuar nga vettingu sepse nuk justifikojnë pasurinë. Më shumë 200 të tjerë pritet të eleminohen.

Me 14 shkurt 2016, Sekretari i Shtetit John Kerry vizitoi Shqipërinë. Ai deklaroi se politika shqiptare duhet të miratojë Reformën në Drejtësi. Me 22 korrik 2016, vetëm 5 muaj pas deklaratës së Sekretarit Kerry, parlamenti i Shqipërisë, krejt pa dëshirë, përfundoi duke miratuar Reformën në Drejtësi në mënyrë unanime, me 140 vota pro.

Herë pas here e ditë pas dite, ambasadorët amerikanë në Tiranë, kanë deklaruar se ShBA-të kanë identifikuar si problem strategjik për ta korrupsionin dhe krimin e organizuar. Si asnjëherë më parë kanë përfunduar në burg 2 ministra të fuqishëm, Koka e Tahiri dhe shumë të tjerë pritet të përfundojnë në burg.

I paraqita shembujt e sekretarit Kerry dhe ambasadorit Lu, për të ilustruar se nëse Amerika lëshon një deklaratë, herët a vonë ajo deklaratë krijon pasoja dhe reperkursione. Deklaratat e një sheti të madh nuk janë shaka. Shtete si Amerika, Kina, Rusia dhe të tjerë, nuk janë në nivelin e shteteve tribale e kaçake. Ata kur publikojnë deklarata e qëndrime, angazhohen seriozisht për realizimin e qëllimeve të shpallura. Përndryshe iu bie serioziteti dhe prestigji.

Kaçakët politikanë të Shqipërisë, synojnë ta paraqesin Amerikën si të ngjashme me veten e tyre, si entitet që nuk i ka seriozisht deklaratat, si shtet që lëshon deklarata në tym. E bëjnë ketë qëllim për t’i bindur ndjekësit, çetistët tyre, se atyre sdo tiu ndodhë asgjë, se ata vazhdojnë të jenë të fortë dhe do të triumfojnë përballë Amerikës.

Nga ana tjetër ata e dinë se janë të pashpresë. Ecin me filozofinë “të shtyjmë sa të shtyjmë” dhe “të dalë ku të dalë” ose “të luajmë me qarin”.

Këto ditë po lexoj mbi politikën e Austro-Hungarisë në Ballkan në fundvitet 1800. Vjena kishte identifikuar si problem ushtarak e strategjik krijimin e brezit të shteteve sllave në kufinjt e saj jugorë; Shtete si Bullgaria, Serbia dhe Mali i Zi. Nacionalizmi kishtar sllav kishte përcaktuar se për realizimin e qëllimeve të veta, duhet të godiste dy perandori: Perandorinë Osmane dhe Perandorinë Habsburge. Me qëllim për ta shtrirë shtetin e sllavëve të jugut nga Selaniku deri në Poloni. Ky projekt mbështej nga Perandoria e Rusisë. Prandaj Austro-Hungaria ndëhyri fort në Ballkan kundër këtyre objektivave, duke synuar të çrrënjosë ndikinin rus.

Të njejtën politikë po ndjek Washingtoni. Duke synuar të forcojë Sferën e NATO-s në Ballkan dhe Europë, po tenton të çrrënjosë çdo mundësi për influecë ruse. Kaçakët shqiptarë, me mënyrën si reagojnë kundër objektivave amerikane, zbulojnë dhe demaskojnë vetveten.

Megjithatë, shqiptarët patriotë, shqiptarët që nuk duan ekspansionizëm sllav si instrument i Rusisë, duhet të mos bien viktima të propagandës anti-amerikane të kaçakëve shqiptarë.

Shqiptarët duhet të besojnë se Amerika, ashtu siç e pati seriozisht “Paralajmërinin e Krishtlindjeve” kundër Millosheviqit kur i bëri të qartë se nëse sulmon Kosovën bombardohesh, e pas 4 vjetësh Millosheviqi u bombardua; ashtu sic Gerge Bush e pati seriozisht deklaratën kur tha se Kosova është e pavarur dhe pas 1 viti Kosova u shpall e pavarur, ashtu kanë seriozisht edhe deklaratat kundër korrupsionit, kanë seriozisht deklaratat kundër politikanëve të korruptuar, pa dallim ngjyre.

Nuk e kanë nga dashuria për ne. E kanë për interesat e tyre. Mirëpo ne shqiptarët duhet të ndihemi me fat që interesat e shtetit më të fuqishëm që ka njohur historia e njerëzimit, përputhen me interesat tona kombëtare.

Latest articles

Related articles