R.SH. / Vatikan
Mirënjohje dhe dashuri po shprehen në këto orë nga njerëzit, që po ia bëjnë me lutje nderimet e fundit Papës së Nderit. Trupi i Benediktit XVI ndodhet në Bazilikën e Shën Pjetrit që dje, në orën 7.00, kur u zhvendos nga manastiri Mater Ecclesiae, në Kopshtet e Vatikanit, ku Joseph Ratzinger vdiq në orën 9.34 të së shtunës, më 31 dhjetor. Bazilika e Vatikanit do të jetë e hapur sot, e martë 3 dhe nesër, e mërkurë, 4 janar, nga ora 7 deri në 19.
Salikimet do të kremtohen të enjten, më 5 janar, në orën 9.30, në Sheshin e Shën Pjetrit. Riti i Meshës së Shenjtë të Lamtumirës për Papën e ndjerë të nderit Benedikti XVI, do të kryesohet nga Papa Françesku, i cili të shtunën në mëngjes, pasi mori vesh lajmin për vdekjen e tij, shkoi menjëherë në manastirin Mater Ecclesiae.
Më 5 janar, në përfundim të Kremtimit Eukaristik, Ati i Shenjtë Françesku do të kryesojë ritin e Ultima Commendatio (të lëshimit në dorë të Zotit) dhe të “Valedictio” (lamtumirës së fundit). Trupi i Papës së Nderit do të mbartet rishtas në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe më pas, në Kriptën e Vatikanit për varrim, në të njëjtën kapelë ku ndodhej trupi i Gjon Palit II e, para tij, i Gjonit XXIII.
“Zot, të dua”, ishin fjalët e fundit të Benediktit XVI: kurorëzonin një jetë të tërë, jetuar nën shenjën e këtyre fjalëve.
Sivjet Viti i Ri pati shijen e Pashkëve
Nata e Vitit të Ri është festë që përfshihet në kohën e Krishtlindjes. Po sivjet Viti i Ri pati shijen e Pashkëve. E kështu është gjithmonë për Krishtlindje, e cila për të krishterët është festë që përfshihet në misterin e Pashkëve. Ato pak cekje, që dy Ungjijtë, i Mateut dhe i Lukës, bëjnë për Lindjen e Krishtit mund të përkufizohen si “histori të Pashkëve të foshnjërisë së Jezusit”. Por kjo rastësi, që dita e fundit e vitit 2022, e shtuna, ishte edhe dita e vdekjes së Benediktit XVI, për të krishterët dies natalis – dita e lindjes për qiell, hedh një dritë të fortë Pashkësh mbi këtë çast të veçantë.
E Shtuna e Madhe e heshtjes, një ditë krejt e veçantë për Papën Ratzinger
Më 16 prill 1927, 95 vjet më parë, lindi në Bavari Joseph Ratzinger: ishte e Shtuna e Madhe, dita e heshtjes së madhe, e vetmja ditë pa meshë dhe pa liturgji të vitit liturgjik të Kishës Katolike. Të nesërmen, ditën e Pashkëve, Jozefi i vogël u pagëzua. Dhe e gjithë jeta e tij u jetua brenda misterit të triditshit të Pashkëve, me shumë pasion, heshtje, gëzim. Gjë që pasqyrohet edhe në periudhën 8 vjeçare të papnisë, nisur më 19 prill 2005, por që ndoshta kishte nisur që në mbrëmjen e 25 marsit, pikërisht Natën e së Premtes së Madhe.
Po atë ditë Kardinali Ratzinger u thirr nga Gjon Pali II për të komentuar dhe për të drejtuar ritin e Udhës së Kryqit në Koloseum. Fjalët e tij i prekën shumë, tepër njerëzit, veçanërisht kur, duke medituar Stacionin e nëntë, shqiptoi fjalët tronditëse: “Po a nuk duhet të mendojmë edhe sesa shumë duhet të vuajë Krishti në Kishën e tij? Sa herë abuzohet me sakramentin e shenjtë të pranisë së Tij, në çfarë zbrazëtie dhe ligësie zemre hyn shpesh e shpesh? Sa herë festojmë vetëm vetveten, pa menduar fare për Të! Sa herë Fjala e Tij shtrembërohet dhe shpërdorohet! Sa pak fe ka në teoritë e shumta, sa fjalë boshe! Sa ndyrësi ka në Kishë, dhe pikërisht edhe ndërmjet atyre që, në meshtari, do të duhej t’i përkisnin plotësisht Atij! Sa krenari, sa vetëvlerësim! Sa pak e respektojmë sakramentin e pajtimit, në të cilin ai na pret, për të na ringritur përsëri në këmbë nga rrëzimet tona! E gjithë kjo është e pranishme në mundimet e Tij”.
Në mundimet e Krishtit dhe në mundimet e Benediktit, Mëkëmbësit të tij. Dhe çfarë force dhe guximi tregoi teologu i ndrojtur bavarez si pasardhësi i Pjetrit në përballimin e krizave të shumta dhe shkandujve të rënda që ndotën Kishën gjatë papnisë së tij! Pas të Premtes së Mundimeve, e Shtuna e heshtjes. Në këtë ditë, kaq të veçantë, e njëkohësisht kaq përfaqësuese e kaq shprehëse të natyrës njerëzore, të të gjithë njerëzve, pezull ndërmjet hutimit dhe pritjes, ankthit dhe shpresës, teologu Ratzinger zgjodhi fjalë dhe tekste me forcë të jashtëzakonshme, si të donte ta shpërblente dhuratën e marrë, mbasi kishte lindur pikërisht në atë ditë.
Dhe tani vdiq një të shtunë, pas gati dhjetë vjetësh të jetuara, pas zgjedhjes së tij të lirë, në heshtje. Heshtje e njeriut i cili lutet, gjithmonë “brenda ‘gardhit’ të Shën Pjetrit” që e vuri Benediktin, atë “gjysh të urtë”, të kujtuar vazhdimisht me dashuri nga Françesku, gjithnjë në dispozicion të familjes së Kishës.
Në fillim të hagjiografisë kushtuar Shën Françeskut të Asizit, autori anglez G.K. Chesterton, duke folur për Shën Benediktin e Norçias, nënvizon: “çka mbolli Benedikti, Françesku e shpërndau nëpër botë”. Mund të zbatohet, pa zëvendësuar as emra, për Kishën e 18 viteve të fundit. E mbjellja është një punë e heshtur, e cila vepron zellshëm, si shenjë besimi dhe shprese, sepse kush mbjell nuk është edhe ai që do të korrë, mbasi shpesh nuk e sheh as frytin e punës së tij.
Megjithatë, Benedikti pa disa shenja, dhe u gëzua. Pas mundimeve të së premtes e heshtjes së të shtunës, vjen shpërthimi i gëzimit të së Dielës. Gëzimi ishte filli i kuq, filli themelor i gjithë jetës dhe veprës së Joseph-Benedettos: “E gjithë jeta ime qe gjithnjë e përshkuar nga një fill i kuq: Krishterimi jep gëzim, zgjeron horizontet. Në fund të fundit, një jetë e jetuar gjithmonë dhe vetëm “kundër” do të ishte e padurueshme – i pati thënë Peter Seewald. Një gëzim me shije të krishterë, që lind nga një takim. Do ta shprehte mirë fjala e parë e enciklikës së tij të parë, Deus caritas est, kur kujton se krishterimi nuk është rezultat i një ideje të madhe apo një vendimi etik, por i takimit me Jezusin, sepse është Ai që merr nismën e vjen ta takojë njeriun. Zemra e jetës njerëzore është takimi dhe përqafimi plot dashuri me Jezusin, që vdiq dhe u ringjall për ne.
Në esenë e vitit 1977 mbi eskatologjinë, ndoshta kryevepra e tij teologjike së bashku me Hyrje në Krishterim, Ratzinger pohon: “Shpresa e krishterë është e personalizuar; qendra e saj nuk është në hapësirë apo në kohë, në pyetjen se ku apo kur, por përqendrohet tek marrëdhënia me Vetjen e Jezu Krishtit dhe tek dëshira për afërsinë e Tij”. E më pas edhe na pyet: “A e ka mbajtur krishterimi këtë tension?”. Benedikti e ruajti të paprekur, e ruajti fenë, duke e mbrojtur dhe duke e ushqyer zjarrin e besimit e sot është pranë Jezusit të tij, në krahët e Tij.
Përfundon një vit e i riu hapet me të dielën, ditën e parë të javës, sepse e shtuna, në dukje e heshtur dhe e errët, nuk mbyllet në perëndim, por hapet me rrezet e shpresës në agimin e së dielës. Një krijim i ri hapet para syve të Benediktit e edhe ne mund ta shohim, me sytë e zemrës, sepse “programi i të krishterit – programi i Samaritanit të mirë, programi i Jezusit – është “zemër që sheh’” (Deus caritas est, 31), është program të cilit Joseph-Benedetto i qëndroi besnik për 95 vjet. ( nga Andrea Monda)