Dubai hoqi taksën e tij prej 30 për qind të alkoolit dhe nuk tarifon më për licencat e pijeve, të cilat kërkohen për këdo që synon të pijë alkool. Ky është vetëm një vazhdim i trendit të zbutjes së ligjit pasi Dubai lejoi shitjen e alkoolit gjatë Ramazanit dhe lejoi që ai të dërgohej në adresat e shtëpive gjatë pandemisë.
Ky ndryshim ligjor është ndoshta rezultat i përpjekjes së qeverisë për ta bërë qytetin më tërheqës për të huajt, pra për të nxitur turizmin. Dy kompanitë që shpërndajnë alkool në Dubai, “Maritime and Mercantile International (MMI) dhe African & Eastern”, pretendojnë se heqja e taksës do të ndikojë edhe në çmimet për konsumatorët.
“Këto rregullore të përditësuara së fundmi janë kritike për të vazhduar sigurimin e blerjes dhe konsumit të sigurt dhe të përgjegjshëm të pijeve alkoolike në Dubai dhe Emiratet e Bashkuara Arabe,” tha zëdhënësi i MMI, Tyrone Reid. Nuk dihet ende nëse rregullat e reja ligjore do të jenë të përhershme, shkruan BBC.
Dubai njihet si “kryeqyteti argëtues” i Gjirit Persik dhe ka nëntë herë më shumë të huaj se vendasit. Gjatë historisë, Dubai ka arritur të tërheqë shumë turistë dhe punëtorë të pasur të huaj, pjesërisht për shkak të tolerancës së tij për një mënyrë jetese më liberale.
Megjithatë, ajo tani përballet me konkurrencë të shtuar nga rivalët që po zhvillojnë sektorët e tyre të mikpritjes dhe financiare. Jomyslimanët në Dubai duhet të jenë të paktën 21 vjeç për të pirë alkool ose të kenë një leje alkooli në formën e një karte plastike të lëshuar nga policia. Baret dhe klubet e natës rrallë kërkojnë karta, por ata që konsumojnë alkool pa një të tillë mund të përballen me gjoba ose arrestim.