Pavarësisht kritikave të shumta, qeveria është e vendosur të vijojë edhe gjatë këtij viti të ri me kontratat koncesionare dhe PPP-të. Për 3 vitet e ardhshme është vendosur një buxhet përmes të cilit do të hartohen rregullat për këto procedura. Vendimi vjen në kohën kur institucionet ndërkombëtare por edhe opozita në shqipëri kanë shprehur shqetësime për kostot dhe mungesën e transparencës.
Qeveria do të vazhdojë me koncesionet dhe PPP-të, pavarësisht kritikave të shumta nga institucionet ndërkombëtare, shoqëria civile apo opozitarët.
Në planin e integrimit i bërë publik pak ditë më parë është parashikuar shpenzimi i një fondi prej 4 milionë lekësh të reja që do të shërbejnë për miratimin e një projektligji për procedurat e miratimit të koncesioneve sipas formulës partneritet publik privat. Sipas kësaj skeme kompanitë private nisin punimet edhe pse shteti nuk ka para dhe i marrin ato më vonë, por pa u pasqyruar në tabelat si borxh i brendshëm apo i jashtëm i qeverisë.
Në sqarim thuhet se nisma synon përafrimin e ligjeve, me direktivën e dhënë nga Bashkimi Evropian, ndërsa konsiderohet akoma i pjesshëm.
Sa i përket këtyre koncesioneve akuza janë hedhur për kompanitë që kanë marrë të drejtën por edhe për shifrat. Kështu opozita shprehet se në janë firmosur 228 procedura me PPP por qeveria ka konfirmuar vetëm 65 të tilla. Por edhe kjo nuk ka mjaftuar pasi institucionet monitoruese kanë shprehur shqetësimin për kontrollin e shpenzimeve.