Ambasadori i Kinës në SHBA Qin Gang cilësohet si një “luftëtar ujkt”. Ai është një nga diplomatët e përdorur nga narrativa strategjike e Partisë/Shtet të Xi Jinping për të mbrojtur kauzën. Të premten, Kina e emëroi atë ministrin e ri të jashtëm. Në një sistem të mbyllur, zgjedhja mund të nënkuptojë vetëm se Qin është një besnik dhe se fjalimet e tij të ashpra kundër Perëndimit, janë vlerësuar mirë, të shpërblyer nga udhëheqja.
Ai është me origjinë nga qyteti verilindor i Tianjin. Qin ka studiuar në Universitetin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Pekinit, një shkollë me lidhje të ngushta si me ministrinë e jashtme ashtu edhe me agjencinë kryesore të spiunazhit të Kinës. Pas një qëndrimi në United Press International ai bëri një karrierë brenda ministrisë me role në Pekin dhe Londër.
Sistemi institucional kinez i jep një rol shumë të rëndësishëm Ministrisë së Jashtme, e cila do t’i duhet t’i rrëfejë vendi në shumë gjuhë, në një moment kur është vënë sërish në syrin e stuhisë. Miliona raste Covid po regjistrohen në Kinë – rezultat i një menaxhimi të rrëmujshëm të rihapjes post-Zero Covid – janë një test imazhi.
Në perceptimin ndërkombëtar, Kina duket edhe një here si “problem” që mund të shkaktojë sërish rritje të infeksioneve dhe përhapjen e varianteve të panjohura deri më tani. Puna për të dobësuar këtë perceptim do t’i takojë gjithashtu (dhe ndoshta mbi të gjitha) ministrisë së Qin-it dhe ambasadave që do t’i duhet ta koordinojë.
Qin – përfaqësuesi më i lartë i Pekinit në Uashington, i ngarkuar për rikthimin e marrëdhënieve midis dy fuqive të mëdha botërore në rrugën e duhur, pa sukses – është i njohur për retorikën jo fort diplomatike. Nga ana tjetër, ai ka qenë më parë zëdhënës i Ministrisë së Jashtme, dhe për këtë arsye i di kostot dhe kohën e narrativës – që për të gjitha pushtetet është një aset thelbësor në strategji. Pra, ka të ngjarë që niveli i infoluftës kineze të rritet në të ardhmen e afërt.
Në vitin 2020, për shembull, Qin këmbëngulte tek një koncept: imazhi i Kinës në Perëndim është përkeqësuar sepse evropianët dhe amerikanët – veçanërisht mediat – nuk e kanë pranuar kurrë sistemin politik të Kinës apo ngritjen e saj ekonomike. Ai ndoshta harronte se një pjesë e atij përkeqësimi ishte gjithashtu (dhe ndoshta mbi të gjitha) për shkak të përgjegjësive kineze për pandeminë, për mungesën e transparencës që sistemi ka imponuar në përpjekje për të menaxhuar periudhat e para të epidemisë duke mbajtur gjithçka të fshehur.
Qin, i cili flet rrjedhshëm anglisht, ka rritur dukshmërinë kineze në Uashington përmes paraqitjeve publike dhe në media duke shpjeguar vizionet e Pekinit. Ai është një ekspert i debateve dhe mosmarrëveshjeve verbale: në të kaluarën ai ka përshkruar një vizion të Kinës si një vend që ka pak për të mësuar nga Perëndimi dhe ka përdorur historinë e Kinës si viktimë gjatë luftërave të opiumit të shekullit të 19-të.
Ai pak ditë para se të emërohej Ministër shkroi një editorial në Median amerikane: National Interest, me titullin “Ja si Kina e sheh botën”. Sipas tij, “Shikimi i botës si një komunitet me një të ardhme të përbashkët çon natyrshëm në rrugën e zhvillimit paqësor. Zhvillimi i Kinës do të thotë një forcë më e fortë për paqen, jo një fuqi në rritje e gatshme për të “thyer status quo-në”, siç e quajnë disa…Por si banorë të së njëjtës botë, ne duhet dhe mund të dëgjojmë njëri-tjetrin, të ngushtojmë hendekun tonë në perceptimet e botës dhe të eksplorojmë një mënyrë për t’u marrë vesh bazuar në respektin reciprok, bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin fitues”