Si do të jenë 6 muajt e parë të 2023 – REDAKSIONALE

Ky viti i ri premton shumë.

Është një vit elektoral me zgjedhjet vendore në datën 14 maj. Maxhoranca socialiste është në avantazh në letër përshkak se ka diçka konkrete për tju ofruar njerëzve në nevojë në territor, ndërsa opozita me disa kandidatë ofron premtime, përbetime. Faktori ekstrapolitik do të jetë edhe një herë deçiziv në një palë zgjedhje në vend.

Është një vit me kreun e ri të SPAK Altin Dumani që ka premtuar se do të çojë në gjykatë persona të rëndësishëm të pushtetit, dhe jo vetëm, të hetuar për një kohë të gjatë. Dosjet janë kapicë. Emra (ish) ministrash, deputetësh, kryebashkiakësh, drejtuesish të lartë institucionesh, biznesmenë janë brenda dosjeve të hetura dhe pritet të përballen me prova në gjykatë.

Është një vit me pritshmëri të larta për Partinë Demokratke, e cila vijon të vuajë pasojat e përçarjes vertikale e horizontale së nisur përmes mekanizmit të Foltores së Sali Berishës; por ka një humus të përshtatshëm për të ndërtuar një lëvizje të re demokratizimi që do të çonte drejt krijimit të alternativës qeverisës. Rithemelimi i Berishës ka humbur shtytjen e mllefit mbi të cilin kalëronte mendjet e demokratëve. Realpolitika dhe interesi është rikthyer bujshëm.

Është një vit me pritshmëri të ulta për qeverinë RAMA III, e cila vijon të ecë me marshin e parë dhe reagon dhunshëm kundër krititikave të medias dhe shoqërisë civile, të cilët goditen pa mëshirë.

Është një vit plot me sfida në arenën kibernetike përshkak të sulmeve të organizuara ruso-iraniane ndaj infrastrukuturës civile-tregtaro-bankare të Shqipërisë, e cila është përfshirë në një luftë të pashpallur me dy armiq të NATO.

Sido që të shkojnë 6 muajt e parë të 2023, edhe 6 muajt e dytë të saj do të jenë plot surpriza në domenin politike, ekonomik dhe mediatik.

 

Latest articles

Related articles