Organizimi i atentatit të parë me eksploziv nga dy vrasës të huaj në Shqipëri


Nga Dr. Hasan Bello, historian

Atentati i parë me eksploziv të komanduar nga dy vrasës të huaj në Shqipëri për herë të parë është organizuar në vitin 1928, për të eleminuar Presidentin e Republikës, Ahmet Zogu. Këta ishin dy bullgarë: Todor Gjergjef i cili jetonte në Shqipëri që nga viti 1923, pasi kishte kryer falsifikimin e një shume parash në Sofje dhe ishte implikuar në lëvizjen komuniste ndërkombëtare, dhe Todor Vulkanof motra e të cilit ishte martuar me të parin.
Todor Gjergjef ishte takuar me Hasan Prishtinën, Bedri Pejanin dhe Vasil Bikollën në Trieste të Italisë. Në këtë takim i cili ishte realizuar nëpërmjet një agjenti të Kominternit, një bullgari me emrin Zakof, Hasan Prishtina i kishte propozuar atyre eleminimin e Ahmet Zogut. Kjo do të bëhej kundrejtë mijëra napolonash, të cilat do t`i jepeshin atentatorëve si shpërblim. Për realizimin e këtij plani, ai, i sugjeroi Todor Gjergjefit të kontaktonte me Ibrahim Arapin në Durrës (ish anëtar i organizatës “Bashkimi” dhe i arratisur politik për disa kohë pas rikthimit të Zogut) dhe një person në Kavajë, i cili posedonte bomba dhe eksploziv që nga koha e Austro-Hungarisë (1916-1918).
Todor Gjergjefi e refuzoi propozimin e Hasan Prishtinës për të përdorur bomba dore. Atij iu duk më bindës ideja e të kunatit, Todor Vulkanofit, i cili ishte i mendimit të përdornin eksploziv me ndezës elektrik. Ai do të shpërthehej në distancë, në momentin që Presidenti do të kalonte për të shkuar në banjat e Durrësit.
Ky plan iu duk më bindës edhe vetë Hasan Prishtinës. Skenari u përsos me mbërritjen e bullgarëve në Durrës, ku sipas udhëzimeve që morën u takuan me Ibrahim Arapin dhe Murat Haxhi Halilin nga Kosova, që punonte në Shoqërinë “Mazorana” për ndërtimin e limanit të Durrësit. Këta do t`i siguronin bazën materiale dhe informacione të tjera për lëvizjet e Ahmet Zogut. Sipas të dhënave, atentati do të shoqërohej edhe me vrasjen e disa figurave të tjera në prefekturën e Dibrës dhe Kosovës.
Todor Gjergjefi kishte njohuri mbi inxhinierinë mekanike dhe elektrike, dhe kishte aftësinë e modifikimit të eksplozivëve. Nga ana tjetër, ai ishte kunat i deputetit komunist Llambi Kandef, i cili ishte përgjegjës i vendosjes së bombave në Katedralen e Sofjes. Kjo tregon se ai kishte përvojë në aktet terroriste me eksploziv.
Por i gjith plani dështoi. Kjo për dy arsye: e para, sepse Ahmet Zogu i cili mbërriti në Durrës më 9 prill së bashku me motrat, u rikthye në Tiranë brenda ditës; e dyta, sepse një mbrëmje vonë, gjatë një bisede konfindenciale mes Todor Vulkanofit dhe Murat Haxhi Halilit, aty kaloi punëtori Rexhep Nuredini (një jevg nga Durrësi), i cili vendosi në dijeni autoritetet. Këto të fundit, më 25 prill arrestuan të gjith të dyshuarit.
Dështimi dhe zbulimi i atentatorëve, parë nga një distancë kohore, ka disa enigma:
a) A u largua Ahmet Zogu nga Durrësi brenda ditës ku qëndronte për disa muaj pasi mori informacion për atentatin?
b) Rexhep Nuredini ishte informator i policisë apo një kalimtar i rastësishëm?
c) A vinte informacioni për këtë atentat nga shërbimi sekret shqiptar?
d) Apo nga shërbimet e huaja?
Kjo për shkak se njëri nga skenarët e atentatorëve ishte vendosja e eksplozivit pranë legatës italiane në Durrës, duke implikuar në këtë atentat kundër Ahmet Zogut, edhe trupin diplomatik.
Në përfundim gjyqi dënoi me vdekje Hasan Prishtinën, Todor Gjergjef, Todor Vulkanof dhe Ibrahim Arapin. Murat Haxhi Halilin e deklaroi të pafajshëm, ndërsa Anastas Pandelen në shtëpinë e të cilit ishin gjendur disa letra e dënoi me një muaj burg, për propagandë kundër regjimit.
Konteksti kur u përgatit ky atentat ka të bëjë me një sërë prapaskenash. Në planin ndërkombëtar shteti shqiptar ishte në epiqendër të rivalitetit italo-jugosllav.
Ndërsa në planin e brendshëm po përgatitej terreni për ndryshimin e regjimit. Më 16 qershor 1928, Kryesia e Republikës dekretoi 17 korrikun si datën e zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese. Kjo do të mblidhej më 25 gusht për të rishikuar Statutin Themeltar të Republikës dhe, kthimin e Shqipërisë në monarki.

Latest articles

Related articles