Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë – Forum 26 i akordoi Çmimin Letrar “Fjala 2026”, për përkthyesin më të mirë të letërsisë shqipe në botë, përkthyeses dhe promovueses së letërsisë shqipe në hapësirën gjermanishtfolëse, Zuzana Finger.
Çmimi u nda për herë të parë më 28 nëntor 2026, gjatë Takimit të Parë Mbarëkombëtar të Forum 26, “Shqipja – Atdheu ynë i përbashkët”, zhvilluar në Hotel “Palata Venezia”, në Kalanë e Ulqinit, me mbështetjen e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi.
Zuzana Finger vlerësohet për kontributin e saj të shquar dhe shumëvjeçar në përkthimin, promovimin dhe ndërkombëtarizimin e letërsisë shqipe, për larminë e autorëve dhe të zhanreve të përkthyera, si dhe për ndërtimin e urave të qëndrueshme të komunikimit ndërmjet letërsisë shqipe dhe kulturave gjermanishtfolëse.
Veprimtaria e saj e gjerë përkthimore përfshin poezinë, prozën, dramaturgjinë dhe esenë. Përmes punës së saj, veprat e autorëve shqiptarë kanë gjetur vend në shtëpi botuese, revista letrare, antologji, festivale dhe veprimtari kulturore në Gjermani, Austri dhe Zvicër.
Në bibliografinë e saj përfshihen përkthime nga krijimtaria e Stefan Çapalikut, Ag Apollonit, Arian Lekës, Tom Kukës, Shpëtim Selmanit, Arben Idrizit, Jeton Nezirajt, Donika Dabishevcit, Xhevdet Bajrajt, Blerina Gaxha Rogovës, Ervina Halilit, Eqrem Bashës, Ridvan Dibrës, Gazmend Kapllanit, Anna Koves, Ardian Kyçykut, Parid Teferiqit, Musa Ramadanit dhe shumë autorëve të tjerë.
Përkthimet e saj janë botuar në revista të njohura letrare si Akzente, Lichtungen, Wespennest, Ostragehege, die Horen, Abwärts!, Der Maulkorb, Stadtgelichter, Herzattacke, Beton dhe Theater der Zeit, duke i siguruar letërsisë shqipe një prani të vazhdueshme në qarkullimin letrar dhe kulturor europian.
Përmes përzgjedhjes dhe përkthimit të autorëve nga treva të ndryshme shqiptare, Zuzana Finger ka kontribuar në paraqitjen e letërsisë shqipe si një hapësirë e përbashkët krijuese, përtej kufijve shtetërorë, duke sjellë para lexuesit gjermanishtfolës një panoramë të pasur të brezave, poetikave dhe përvojave të ndryshme letrare shqiptare.
Çmimi Letrar “Fjala”, i themeluar në fillim të nëntorit 2026, me nismën e Presidentit të Forum 26, akademikut Stefan Çapaliku, dhe me mbështetjen e plotë të Kryesisë, është një vlerësim i përvitshëm që synon të nderojë përkthyesit më të shquar të letërsisë shqipe në gjuhët e botës.
Me akordimin e këtij çmimi për herë të parë Zuzana Finger, Forum 26 shpreh mirënjohjen për punën e përkushtuar të përkthyesve dhe riafirmon rolin e tyre të pazëvendësueshëm në njohjen, përhapjen dhe afirmimin ndërkombëtar të letërsisë shqipe.
Përkthyesit nuk janë vetëm ndërmjetësues ndërmjet gjuhëve dhe kulturave. Ata janë bashkëkrijues të fatit ndërkombëtar të një vepre letrare.
Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë – Forum 26 i shpreh urimet më të përzemërta Zuzana Finger për këtë vlerësim dhe mirënjohjen e thellë për kontributin e saj të çmuar në shërbim të letërsisë shqipe.
Urime, Zuzana Finger, fituesja e parë e Çmimit Letrar “Fjala”!
PËRMES FJALËVE | PER VERBA



