Nga Marlin Muça
Në 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, nuk duhet të harrojmë se firmëtarët e Aktit të Pavarësisë hodhën themelet e një Shqipërie që synohej të përfshinte trojet shqiptare të katër vilajeteve.
Sot, faktori shqiptar është më i fuqishëm se kurrë më parë, me dy shtete shqiptare, me një prani shtetformuese në Maqedoninë e Veriut dhe me një identitet të fortë kombëtar në Preshevë e në Malësi.
Sanxhaku, Çamëria dhe kolonitë tona arvanitase përbëjnë plagët tona të heshtura, të cilat nuk duhet t’i lëmë në harresë, pavarësisht dhimbjeve të së shkuarës dhe gjysmëharresës së së tashmes.
Duhet të punojmë pareshtur për Bashkimin Kombëtar, jo domosdoshmërisht si një projekt politik, por, në radhë të parë, si një ideal kulturor, historik dhe etnografik.
Duhet të rikthejmë në vëmendje idetë e Rilindësve tanë për një Shqipëri të fortë, moderne dhe të zhvilluar, e cila të shërbejë si garantuese e mirëqenies dhe e përparimit të vëllezërve tanë në të gjitha trojet etnike shqiptare.
Ëndrra për Bashkimin Kombëtar duhet të mbetet e gjallë në zemrat e shqiptarëve të sotëm, si një synim i largët e romantik, për t’u trashëguar brez pas brezi, derisa pasardhësit tanë ta dëshmojnë veten të aftë për të përmbushur amanetin stërgjyshor.
Deri atëherë, gëzuar Pavarësinë!
🇦🇱🇦🇱



