New York shpall zyrtarisht 28 Nëntorin festë zyrtare

spot_img
Advertisements

Këshilli Bashkiak i qytetit të New York-ut ka miratuar rezolutën për njohjen e 28 Nëntorit si Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, duke e përcaktuar këtë datë si ditë përkujtimore që do të shënohet çdo vit në qytetin amerikan.

Rezoluta me titull “Përcaktimi i datës 28 nëntor të çdo viti si Dita e Pavarësisë së Shqipërisë në qytetin e New York-ut” (“Designating November 28 annually as Albanian Independence Day in the City of New York”, u miratua më 19 nëntor 2026 nga Këshilli Bashkiak i New York-ut.

Nisma u propozua nga anëtarja e Këshillit Bashkiak, Amanda C. Farías, dhe u mbështet nga pesë anëtarë të tjerë: Shirley Aldebol, Farah N. Louis, Selvena N. Brooks-Powers, Frank Morano dhe David M. Carr.

Në dokumentin zyrtar theksohet rëndësia historike e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë, si dhe kontributi i komunitetit shqiptaro-amerikan në jetën shoqërore, ekonomike dhe kulturore të New York-ut.

Rezoluta nënvizon se, sipas të dhënave të cituara nga Albanian American Society Foundation, më shumë se 100 mijë qytetarë me origjinë shqiptare jetojnë në pesë lagjet administrative të New York-ut, me përqendrim të veçantë në Bronx dhe Staten Island.

Dokumenti vlerëson gjithashtu lidhjet historike dhe miqësinë ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe kontributin e brezave të shqiptarëve në shoqërinë amerikane.

Me miratimin e kësaj rezolute, Këshilli Bashkiak përcakton që 28 Nëntori të njihet çdo vit si Dita e Pavarësisë së Shqipërisë në qytetin e New York-ut.

Ky vendim përbën një vlerësim institucional për historinë dhe identitetin kombëtar shqiptar, si dhe për rolin e diasporës shqiptare në një prej qendrave më të rëndësishme urbane të Shteteve të Bashkuara

spot_img

Latest articles

Related articles