Disa letra postare dhe e-maile elektronike kanë mbërritur në Prokurorinë e Posaçme SPAK, nga një emër i vetëm i quajtur Nesti Perikli Angoni, i cili informon për detaje konkrete të pasurive dhe korrupsionit të zyrtarëve të qeverisë.
Ajo që e bëri të famshëm këtë personazh misterioz ishte rasti i denoncimit të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj, ku informacionet e Nesti Perikli Angonit shërbyen si indicia kryesore për nisjen e hetimit penal ndaj Erjon Veliajt dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxës.
Por pas kësaj çështjeje dhe famës së marrë në publik, denoncimet e Nesti Perikli Angonit u shtuan në adresë të SPAK-ut, duke denoncuar jo vetëm Veliajn, por edhe zyrtarë të tjerë të qeverisë shqiptare.
Redaksia ka investiguar rastin përmes dokumenteve konkrete, duke zbuluar se Nesti Perikli Angoni është një person që nuk ekziston, i cili fshihet pas një emri tjetër gruaje të quajtur Monika Sojli.

Por edhe kjo e fundit, pra Monika Sojli, nuk ekziston në Regjistrin e Gjendjes Civile të Shqipërisë. Monika Sojli është një personazh i krijuar si imazh i prezantimit të një karte biometrike nga një kompani private që kishte koncesionin e kartave të ID-së dhe pasaportave biometrike.
Nesti Perikli Angoni ka marrë këtë mostër karte biometrike të shtetases anonime Monika Sojli dhe më pas ka dërguar e-maile dhe letra, duke u identifikuar përmes kësaj shtetaseje.
Numri personal i vendosur në detajet e denoncuesit i përket kartës mostër të ID-së së Monika Sojlit. Ndërsa numri i telefonit, që i përket kompanisë “One Albania”, nuk ekziston.



