Gazetari dhe analisti Lavdrim Lita, i ftuar në emisionin “Prime News24” në News24, ka komentuar vizitën e ambasadorit amerikan Eric Wendt në SPAK dhe mesazhet e tij për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Lita u ndal veçanërisht te përdorimi i kriptomonedhave nga grupet kriminale shqiptare për të paguar ngarkesat e drogës në Amerikën Latine, duke pretenduar se përmes operatorëve në Gjenevë dhe Bruksel qarkullojnë miliona dollarë çdo ditë.
Sipas analistit, vizita dhe deklaratat e ambasadorit amerikan ishin një mesazh serioz për Prokurorinë e Posaçme dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, duke i nxitur të veprojnë me shpejtësi për të gjurmuar paratë e krimit. Ai përmendi veçanërisht përdorimin e USDT-së (Tether), një kriptomonedhë e lidhur me vlerën e dollarit amerikan, për pagesat e narkotrafikantëve shqiptarë ndaj furnizuesve në Amerikën Latine.
“Mesazhet janë shumë serioze, sepse është misioni i tij për të luftuar narkotrafikun në vendin tonë dhe i ka parë në sy prokurorët e SPAK-ut dhe agjentët e BKH-së për t’i inkurajuar të veprojnë sa më shpejt. E them këtë për faktin se narkotrafikantët shqiptarë paguajnë vitet e fundit në kriptomonedha ngarkesat nga Amerika Latine dhe një nga kriptomonedhat që ata përdorin është USDT-ja, ose Tether-i, i cili është i lidhur me dollarin amerikan, në raportin 1 me 1. Është monedha që përdorin narkotrafikantët shqiptarë për të paguar në Amerikën Latine. Kjo është konfirmuar tashmë në disa hetime në Evropë”, u shpreh Lita.
Ai pretendoi se në Bruksel dhe Gjenevë operojnë rreth shtatë pika këmbimi të kriptomonedhave, përmes të cilave kalojnë çdo ditë rreth 7 milionë dollarë në USDT. Sipas tij, këto transferta kryhen me shpejtësi dhe përfshijnë edhe portofole dixhitale që mund të zhvendosen nga një shtet në tjetrin dhe në platforma të ndryshme këmbimi.
“Ka rreth shtatë exchange në Bruksel dhe në Gjenevë, të cilat këmbejnë në ditë rreth 7 milionë USDT, pra 7 milionë dollarë, për narkotrafikantët dhe grupet shqiptare. Ka hetime proaktive për këtë gjë dhe ambasadori ka inkurajuar prokurorët e SPAK-ut të veprojnë, sepse në fushën e kriptomonedhave mund të transferohen wallet-et, pra portofolet e kriptomonedhave, nga një vend në një vend tjetër, në kontinente të ndryshme, në exchange të ndryshme, si në Stamboll, Sofje apo Gjenevë”, deklaroi gazetari.
Lita theksoi se autoritetet shqiptare duhet të veprojnë me shpejtësi, pasi bllokimi i këtyre portofoleve nuk mund të garantohet pafundësisht nga autoritetet amerikane. Ai kërkoi bashkëpunim mes prokurorisë dhe agjencive që merren me konfiskimin e pasurive, duke nënvizuar se hetimet duhet të shoqërohen me zbatim konkret të legjislacionit për tregjet e kriptomonedhave.
“Ligji amerikan nuk mund t’i mbajë të bllokuara pafundësisht portofolet. Prandaj duhet që autoritetet shqiptare të ndërveprojnë dhe ka hetime serioze për këtë aspekt. Është folur edhe për implementimin e legjislacionit, pasi së fundmi është miratuar në Parlament ligji për tregjet e kriptomonedhave, por duhet të ndërveprohet edhe me prokurorinë, edhe me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, e cila konfiskon edhe kriptomonedhat”, u shpreh ai.
Më tej, analisti pretendoi se operatorë shqiptarë në Gjenevë dhe Bruksel mbledhin rreth 7 milionë dollarë në ditë, të cilat i konvertojnë në kriptomonedha dhe i transferojnë brenda një dite. Ai përmendi gjithashtu komisionet që, sipas tij, përfitojnë këta operatorë nga transaksionet.
“Ka operatorë shqiptarë në Gjenevë dhe në Bruksel që mbledhin rreth 7 milionë dollarë në ditë dhe i konvertojnë në kripto. Këto transferohen me një USB brenda ditës. Këta operatorë marrin rreth 5% të vlerës së transferimit apo të këmbimit, që është një gjë e jashtëzakonshme për këta operatorë. Shqipëria duhet të tregojë masa proaktive për të luftuar narkotrafikun”, deklaroi Lita.
Ai iu referua edhe sekuestrimeve të kriptomonedhave të përmendura më herët gjatë emisionit nga gazetarja Klodiana Lala, duke thënë se shuma prej rreth 14.5 milionë dollarësh të bllokuara lidhet me grupe kriminale, por përdorimi i kriptomonedhave nuk kufizohet vetëm te këto struktura.
“Grupet shqiptare përdorin masivisht kriptomonedha për të blerë tonelata kokainë në Amerikën Latine dhe kjo është transferta më e zakonshme në USDT, pra në Tether, që përdorin grupet shqiptare. Kjo është mirë t’ua themi shqiptarëve, se nuk flitet vetëm në teori, por për diçka konkrete që është zbërthyer. Deklarata e ambasadorit nuk ishte vetëm për politikanët, si për të thënë se ne e dimë se çfarë po bëni. Aty foli edhe eksperti i ambasadës amerikane për kriptomonedhat dhe përfaqësuesi i shtetit amerikan, pra ambasadori, duke i inkurajuar që të veprojnë sa më shpejt, sepse këto portofole mund të humbasin”, përfundoi Lavdrim Lita.



