Mesazhet me dhëndrin e Carapulit për dy vila në Dhërmi: “Më mori ajo Belinda e F6”

spot_img
Advertisements

“S’ka ndryshime. Merre në dorëzim dhe vazhdo më pas.” Kështu i shkroi Aleksandër Semi arkitektit të “Eurocol”, Ives Durmishi, më 19 maj 2018, pasi ky i fundit e njoftoi për ndryshimet e kërkuara në vilën G13 në Dhërmi. Po atë mbrëmje, arkitekti i raportoi Semit edhe për një telefonatë nga Belinda Balluku, këtë herë për vilën F6. Të dyja bisedat dalin nga telefoni i arkitektit dhe pasqyrohen në faqet 51–52 të aktit që gazetari Flamu Vezaj i “MaShqip” ka shqyrtuar.

Kush ishte Aleksandër Semi? Dosja e identifikon si ekonomist të “Eurocol” dhe dhëndër të pronarit të kompanisë, Pandeli Carapuli. Në dëshminë e tij, arkitekti e përshkruan Semin si menaxher. Durmishi tha se kur klientët kërkonin ndryshime, ai përgatiste projektin e rishikuar pasi merrte miratimin e Carapulit ose të Semit, dhe më pas ia përcillte inxhinierit të zbatimit.

Në orën 11:24, Durmishi i shkroi Semit se personi që kishte ardhur për vilën G13 do të dërgonte një email me ndryshimet që kërkonte. Sipas mesazheve, ai kishte kërkuar të mos montoheshin ende pajisjet hidrosanitare, sepse do të shihte të tjera. Semi i tha arkitektit të vazhdonte me marrjen në dorëzim. Kontrata e porosisë për G13 ishte në emër të Eva Kjaer, motrës së Maksim Et’hemajt, i cili në atë kohë ishte vartës i Ballukut në Albcontrol. Sipas SPAK-ut, ishte Et’hemaj ai që interesohej për punimet në të dyja vilat.

Në orën 20:58, arkitekti i shkroi sërish Semit. “Më mori ajo Belinda e F6.” Në mesazhet pasuese, ai i tregoi se Balluku i donte kondicionerët e katit të sipërm të vendosur pranë dyshemesë. Para hetuesve, Durmishi tha se i kishte kërkuar Ballukut të fliste me drejtuesit e kompanisë, sepse vendimi për ndryshimin e projektit u takonte atyre. Sipas aktit, fotot e kontrollit treguan se pikërisht vila F6 i kishte kondicionerët e katit të sipërm të vendosur në dysheme.

Kronologjia ka një detaj tjetër. Telefonata e përshkruar nga arkitekti ishte më 19 maj 2018, ndërsa kontrata e porosisë së vilës F6 në emër të Igli Tares mban datën 5 dhjetor 2018. Kështu, komunikimet e administruara nga SPAK e vendosin kërkesën e Ballukut për një ndryshim në vilë më shumë se gjashtë muaj para kontratës së porosisë. Mesazhet e cituara tregojnë se Semi u informua për kërkesën për F6. Përgjigjja e tij “S’ka ndryshime” i përket bisedës së paradites për G13.

Belinda Balluku, ish-zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzohet nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera në nëntë raste, si dhe për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje ose mosdeklarim pasurie. Sipas prokurorisë, ajo ndërhyri në procedura si tenderi për tunelin e Llogarasë dhe disa lote të Unazës së Tiranës për të favorizuar kompani të caktuara.

SPAK pretendon gjithashtu se dy vilat e sekuestruara në Dhërmi dhe Palasë ishin përfitime të dyshuara në këmbim të favorizimit në tendera dhe se përfshehja e pronësisë së tyre u bë përmes dokumenteve në emër të personave të tjerë. Prokuroria ka kërkuar dërgimin e çështjes në gjyq. Akuzat mbeten për t’u shqyrtuar nga gjykata.

spot_img

Latest articles

Related articles