Kreu i PLL, Axhami nderon Antikomunistin Gjergj Hani: Të përndjekurit të kenë drejtësi

spot_img
Advertisements

LAMTUMIRË GJERGJ HANI !

Ndarja nga jeta e antikomunistit fisnik Gjergj Hanit nuk është vetëm humbja e një njeriu që vuajti burgjet e ferrit të diktaturës komuniste. Është edhe një kujtesë e dhimbshme për fatin e një brezi të tërë shqiptarësh, të cilët u përballën me dhunën, burgun, persekutimin dhe padrejtësinë, por që as në demokraci nuk arritën të gjenin plotësisht atë që kishin ëndërruar, lirinë, dinjitetin dhe drejtësinë.

Gjergj Hani u burgos që në moshën 16-vjeçare, me akuzën e tentativës për arratisje. Në një moshë kur një i ri duhet të ëndërrojë, të mësojë dhe të ndërtojë të ardhmen, atij iu rezervua qelia, dhuna dhe një jetë e shënuar nga vuajtjet më të egra të diktaturës en-ferr-ishe…

Pas viteve 1990, ai, ashtu si shumë ish-të burgosur dhe të përndjekur politikë, iu bashkua përpjekjeve për një Shqipëri demokratike, për një shtet ku individi të mos dënohej për bindjet, mendimet apo dëshirën për liri. Luftoi për një demokraci funksionale, për një shoqëri ku e drejta të ishte mbi pushtetin dhe ku krimet e së kaluarës të mos mbeteshin pa përgjegjësi.

Por demokracinë për të cilën luftoi, nuk arriti ta shihte të plotësuar siq e dëshironte. Të drejtat që u takonin atij dhe bashkëvuajtësve të tij mbetën në masë të madhe të parealizuara, njerëzve të cilëve diktatura u mori rininë, demokracia u mori vitet e fundit të jetës duke i lënë në harresë dhe pritje të drejtësisë!

Ish-të burgosurit politikë po largohen njëri pas tjetrit. Shumë prej tyre po mbyllin jetën pa marrë dëmshpërblimin material e moral që u takon, pa parë ndëshkimin e krimeve që u shkatërruan jetën, pa marrë përgjigje për fatin e familjarëve të zhdukur dhe pa dëgjuar një kërkimfalje institucionale për padrejtësitë e pësuara.

Prandaj, çështja e ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politikë nuk është thjesht një çështje sociale apo ekonomike, nuk duhet të mbetet thjeshtë një homazh nga shumkush për cilindo kur ai ndahet nga kjo jetë. Është një çështje e ndërgjegjes kombëtare dhe e standardit demokratik të shtetit shqiptar.

Gjergj Hani iku nga kjo jetë. Por bashkë me të nuk duhet të ikë edhe kujtesa për atë që përfaqësoi. Jeta e tij duhet të mbetet dëshmi e një padrejtësie që nisi në diktaturë dhe që, për shumë njerëz, nuk mori fund as në demokraci.

U prehtë në Paqe Gjergj Hani!
Nderim jetës dhe kujtimit të Tij!

nga Shpëtim Axhami

spot_img

Latest articles

Related articles