Papa Luani XIV do të nisë të hënën vizitën e tij të parë zyrtare në Argjentinë, në një udhëtim që pritet të tërheqë vëmendjen jo vetëm për rëndësinë fetare, por edhe për sfondin e tensioneve sociale dhe politike në vend.
Vizita vjen në një moment të vështirë për shumë kategori në nevojë, pas shkurtimeve të gjera të shpenzimeve publike nga presidenti Javier Milei. Stacioni i parë i Papës, më 9 nëntor, do të jetë qendra katolike Cottolengo Don Orione, në Claypole, rreth 26 kilometra larg Buenos Airesit. Institucioni strehon rreth 400 persona me aftësi të kufizuara dhe po përgatitet prej ditësh për pritjen e kreut të Kishës Katolike.
Megjithatë, vizita zhvillohet në një periudhë të vështirë për këtë qendër. Koordinatori i saj, Fernando Montero, ka deklaruar se qeveria ka ndërprerë furnizimin me medikamente, ushqime të posaçme dhe pelena, duke shtuar se këto produkte nuk janë dërguar që prej nëntorit të kaluar dhe se çështja tashmë ndodhet në gjykatë.
Sipas Montero-s, qëndrimet e Papës dhe presidentit Milei janë krejtësisht të kundërta. Ndërsa Leoni XIV thekson dinjitetin njerëzor pavarësisht aftësisë për të qenë produktiv, kreu i shtetit argjentinas mbështet një model ekonomik të orientuar drejt konkurrencës dhe kufizimit të ndërhyrjes së shtetit.
Udhëtimi treditor në Argjentinë është pjesë e vizitës së Papës në Amerikën e Jugut, e cila përfshin edhe Uruguain dhe Perunë. Kjo është vizita e parë papale në Argjentinë që prej vitit 1987, kur vendin e vizitoi Papa Gjon Pali II. Edhe pse Papa i mëparshëm, Françesku, ishte argjentinas, ai nuk u kthye në atdhe gjatë pontifikatit të tij.
Vizita e Luanni XIV mund të sjellë momente të sikletshme për Javier Milein, i cili në të kaluarën ka pasur përplasje të forta verbale me Papa Françeskun. Në vitin 2020, Milei e kishte cilësuar atë si “idiot” dhe “përfaqësues të të Keqes në Tokë”, ndërsa e akuzonte se promovonte komunizmin. Megjithatë, pas takimit me Françeskun në Vatikan, në shkurt të vitit 2024, Milei pretendoi se i kishte kërkuar falje.



