Avokati Spartak Ngjela ka reaguar për protestat dhe situatën e krijuar në vend, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në një postim në rrjetet sociale, Ngjela e ka cilësuar dorëheqjen e Ramës si një “domosdoshmëri historike”, ndërsa ka deklaruar se gjendja në Shqipëri është shumë e rëndë.
“Gjendja është e shumë rëndë sot për Shqipërinë. Protesta e rinisë studentore është shumë e fortë. Rinia është rini!”, shkruan Ngjela.
Ai e ka shtruar situatën në formën e një zgjedhjeje mes kryeministrit dhe vendit, duke pyetur nëse Shqipëria duhet të përballet me atë që ai e konsideron si rrezik të mëtejshëm apo Rama duhet të largohet nga detyra.
“Pyetja thelbësore është kjo: Shqipëria apo Rama? Dorëheqja e Edi Ramës apo shkatërrimi i Shqipërisë? Shqipëria është në rrezik kombëtar dhe drejt shkatërrimit. Këtë gjendje e shpëton vetëm dorëheqja e kryeministrit Rama”, shprehet Ngjela.
Në vijim, ai i ka vendosur një afat kryeministrit për dorëheqjen, duke pretenduar se në të kundërt do të përballet me përgjegjësi të mëtejshme ligjore.
“Nëse Edi Rama nuk jep dorëheqjen si kryeministër brenda datës së sotme, përgjegjësia e tij do të jetë shumë e madhe në organet gjyqësore, si çështje me akuzë penale, e ngritur kundër tij në SPAK”, deklaron Spartak Ngjela.



