Gjatë protestës së 16 tetorit në Tiranë, 21 persona kanë marrë trajtim mjekësor në Spitalin Universitar të Traumës, mes tyre 8 efektivë policie, 10 protestues, përfshirë 3 të mitur, dhe 3 kalimtarë.
Në një përditësim të gjendjes shëndetësore të të plagosurve në protestën e djeshme, Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se dy persona vijojnë të marrin shërbim mjekësor; një kalimtar, në gjendje të stabilizuar, dhe një protestues 21-vjeçar, Muhamet Skana, i cili ka pësuar krisje të shtyllës kurrizore. I riu po trajtohet dhe monitorohet nga ekipi i neurokirurgjisë. Sipas informacionit të spitalit, për momentin nuk ka indikacion për ndërhyrje kirurgjikale dhe nuk rezulton rrezik për paralizë.
Kujtojmë që 21-vjeçari u godit një ditë më parë nga Policia para Ministrisë së Arsimit.
Të gjithë personat e tjerë të trajtuar në Spitalin e Traumës janë larguar me këshillën e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.



