Drejtori i Përgjithshëm i “MCN TV”, Endri Meksi, në “MCN Live”, ka bërë një analizë të mprehtë dhe kritike mbi valën e protestave studentore që ka përfshirë kryeqytetin.
Ai ka shpërthyer në akuza të forta ndaj zyrtarëve të lartë të mazhorancës, veçanërisht ndaj Taulant Ballës, duke e cilësuar atë si një ndër fryrësit kryesorë të revoltës përmes gjuhës fyerëse ndaj qytetarëve, si dhe ka denoncuar skema të favorizimit në tenderat publikë. Meksi theksoi se vrulli i protestës nuk duhet matur me shifra, por me mesazhin dhe frymën që ajo mbart pas një periudhe të gjatë qetësie.
Që nga qershori e këtej protesta ka qenë e vakët deri në pozicionimin te Ministria e Arsimit. Balla është fryrësi kryesor i atyre protestuesve, se nuk shoh asnjë arsye të dalësh dhe t’u thuash sorra qytetarëve. Nuk është çështja nëse është protestë masive apo jo, por është protestë e vrullshme dhe sikur të ishin 100 njerëz kjo përbën në vetvete lajm dhe risi për këtë klimë të 3-4 muajve të fundit që ka qenë e qetë.
Policia ka një sfidë të madhe dhe nuk dua ta gjykoj herët, aty mund të ketë dhe elementë kriminalë, por mbetet të shihet dhe sot protesta, edhe pse shpresoj të jetë paqësore. U shqetësua Balla se u vodh Iute Credit, kur ajo çfarë nuk u ka marr shqiptarëve. Mua më shqetësojnë tenderat e AKSH-it, po ato i mori të gjitha Ergys Agasi dhe pikërisht për këtë njeri Taulant Balla s’ka asnjë koment. Këta na thonë janë iranianët që po protestojnë, këta i bie që janë iranianët e Laprakës.
Më tej Meksi bëri një paralelizëm me vitin e mbrapshtë 1997 për sa i përket revoltës së brendshme të qytetarëve, duke i bërë thirrje Partisë Socialiste për një reflektim serioz dhe të ftohtë përpara se situata të arrijë në pikën e moskthimit.
Problemi është se hekuri apo pllaka e prishur është kosto, por problemi këtu është se jemi në një situatë të ardhur nga akumulimi i gjatë i njëfarë kohe dhe vijmë në këtë pikë. Nuk ndikon drejtpërdrejt asgjë sot, nëse decentralizimi apo tjetra. Në një situatë eksplozive trajtimi duhet të ishte krejt ndryshe. Jemi në një situatë të akumuluar dhe të patrajtuar.
Është një protestë ndryshe nga ’97, por e ngjashme në mënyrën se si njerëzit kanë të akumuluar një lloj veremi për një kohë të gjatë. Është situatë shumë tepër e gjerë, dhe s’mund t’i etiketosh protestuesit iranianë dhe sorra, patjetër që aty ka elementë. Është një situatë që nga ana e Partisë Socialiste kërkohet një lexim i ftohtë dhe s’mund të bëhet duke u tallur me njerëzit e duke i fyer, por politika duhet t’i përgjigjet situatës.



