Me kritika të ashpra drejtuar kryeministrit Edi Rama për mënyrën se si sot udhëhiqet Partia Socialiste por edhe qeveria, deputeti socialist Erion Braçe liston për herë të parë arsyet përse vendosi të ngrejë kartonin jeshil pro reformës territoriale, ndonëse e kishte kundërshtuar ashpër dhe mbledhjen e grupit socialist ku Edi Rama e paralajmëroi edhe për përjashtim.
“…të qenit deputet është punë dhe Kuvendi për mua është vendi im i punës. Edi Rama ka vizatuar listat dhe i vizatoi siç donte, në stilin e tij, punën ma kanë dhënë njerëzit me votë. 25 mijë njerëz, të parët socialistët ndër ta, të majtë dhe njerëz të zakonshëm në këtë qytet e jo vetëm, bashkë me ta, menduan që unë e bëj këtë punë dhe kanë të gjithë të drejtën të kërkojnë prej meje punën. Unë jam këtu, në Tiranë tani. Pooo, kam një detyrim të pafundëm moral ndaj të gjithë atyre që ma kanë dhënë këtë punë në vite e të cilëve u jam përgjigjur përulësisht, modestisht dhe me mirënjohje çdo ditë, atje ku ata banojnë e jetojnë, pa munguar asnjëherë, duke i mbrojtur çdo herë, duke bërë mirë e duke ndryshuar për mirë jetën për shumicën e tyre. Asnjëherë vetëm, por me ta, me shumë shokë e miq të kësaj rruge, të këtyre qeverive veçanërisht, për ta. E bëra edhe këtë herë, po e theksoj pa ma kërkuar kush, deri kur puna e dhënë nga të tjerë njerëz, mund të zhbëhej si e tillë nga ai rimodelimi antidemokratik që mbështetet në një model tjetër antidemokratik, “ose voto, ose je jashtë këtij grupi” e që vijon me “ti mund të punosh me këtë qeveri në këtë grup, jo jashtë tij”. E thashë aty e do vijoj ta them se kur kam të drejtë, dhuna e disiplinës që vihet në veprim në rast nevoje, është deformimi më i madh antidemokratik që po i ndodh Partisë së Socialistëve. Të kesh të drejtë dhe këtë ta thonë në sy “po, ke të drejtë”, ndërkohë që kjo e drejtë bluhet nga disiplina e thuprës apo bariut, i vetëquajtur ky, që garanton jo të duhurën, është e papranueshme”.



