Dyshime për murtajë në një laborator rus Siberi, 200 në izolim

spot_img
Advertisements


Studiuesja 28-vjeçare e Institutit Anti-Pestë në Irkutsk të Siberisë, Daria Shipilova, ka vdekur pas një forme të rëndë pneumonie.
Shtëpia e Bardhë po ndjek raportimet për një rast të dyshuar të murtajës pneumonike në rajonin Irkutsk të Rusisë, pas vdekjes së një punonjëseje të një instituti kërkimor dhe vendosjes së afro 200 personave nën mbikëqyrje mjekësore.

Një zyrtar i administratës së presidentit amerikan Donald Trump i tha Axios se administrata “është në dijeni, po monitoron shpërthimin dhe po vlerëson opsionet”.

Autoritetet shëndetësore ruse kanë marrë masa paraprake, por deri tani nuk kanë konfirmuar se gruaja ishte infektuar me murtajë.

Daria Shipilova, 28 vjeçe, punonte si teknike laboratori në Institutin Kërkimor Kundër Murtajës në Irkutsk.

Sipas raportimeve të mediave lokale ruse, ajo mund të jetë ekspozuar më 25 shtator, pasi theu një epruvetë që përmbante patogjenin që shkakton murtajën pneumonike. Rrethanat e këtij incidenti nuk janë konfirmuar zyrtarisht.

Shipilova u shtrua në spital më 29 shtator me simptoma të rënda të ngjashme me pneumoninë dhe vdiq gjatë natës mes 1 dhe 2 tetorit.

Pas vdekjes së saj, autoritetet vendosën masa karantine në disa institucione shëndetësore dhe vunë nën mbikëqyrje mjekësore 189 persona që mund të kishin pasur kontakt me të.

Guvernatori i Irkutskut, Igor Kobzev, e përshkroi rastin vetëm si një dyshim për një “infeksion veçanërisht të rrezikshëm”, duke deklaruar se personat nën mbikëqyrje nuk kishin shfaqur simptoma dhe kishin rezultuar negativë në testime.

Ministria ruse e Shëndetësisë tha se 28-vjeçarja kishte vuajtur nga një “pneumoni me etiologji të panjohur” dhe se analizat e mëtejshme nuk kishin zbuluar mikroorganizma të lidhur me punën e saj. Sipas ministrisë, situata epidemiologjike në rajon mbetet e qëndrueshme.

Megjithatë, përmasat e reagimit kanë nxitur pikëpyetje. Sipas raportimeve, drejtuesja e Rospotrebnadzor dhe zyrtarja më e lartë sanitare e Rusisë, Anna Popova, udhëtoi nga Moska drejt Irkutskut për të mbikëqyrur reagimin ndaj situatës.

Raportimet thonë gjithashtu se disa aktivitete publike u anuluan dhe antibiotikët u pakësuan në disa farmaci pas rritjes së kërkesës.

Në të njëjtën kohë, disa paralajmërime dhe raportime për murtajën janë hequr nga hapësira publike. Autoritetet në Baikalsk fshinë një paralajmërim që u kërkonte banorëve të shmangnin udhëtimet drejt Shelekhovit, ndërsa REN TV hoqi pesë postime ku përmendej murtaja.

Kreu i Buryatias fqinje, Alexey Tsydenov, fillimisht deklaroi se Shipilova kishte vdekur nga murtaja, por më pas e ndryshoi formulimin duke thënë se ajo “mund të ketë vdekur nga murtaja”.

Pavarësisht masave emergjente, diagnoza mbetet e pakonfirmuar. Deri më 4 tetor, autoritetet ruse deklaronin se personat e vendosur nën mbikëqyrje nuk kishin simptoma dhe kishin rezultuar negativë

spot_img

Latest articles

Related articles