Dy media në Shqipëri dhe Kosovë përballen me procese gjyqësore në Austri, pasi Gjykata Penale Rajonale e Vjenës (Landesgericht für Strafsachen Wien) ka pranuar për shqyrtim paditë e paraqitura nga Samir Mane, President i BALFIN Group, lidhur me publikime të konsideruara shpifje.
Vendimi, me numër 113 Hv 143/26s, konfirmon juridiksionin e gjykatës austriake dhe i hap rrugë shqyrtimit të çështjeve.
Gjykata Penale Rajonale e Vjenës (Landesgericht für Strafsachen Wien) duke ju referuar Ligjit për Mediat ka pranuar për shqyrtim paditë lidhur me publikime të konsideruara shpifëse dhe dëmtuese për imazhin dhe reputacionin e z. Samir Mane, me shtetësi austriake.
Të pyetur lidhur me këtë çështje, Departamenti i Medias i BALFIN Group konfirmoi se dy paditë e para janë paraqitur pranë Gjykatës Penale Rajonale të Vjenës.
Ndërkohë, i pyetur për të komentuar aspektet ligjore të çështjes, Dr. Matthias Heltschl, nga studioja ligjore austriake Windhager – Medienrechtskanzlei, deklaroi: “Sipas vendimit nr. 113 Hv 143/26s, gjykata austriake iu referua dispozitave të Ligjit Austriak për Median. Vendimi përcakton se, për shkak se publikimet në fjalë ishin të aksesueshme nga publiku në Austri, efekti specifik i veprës penale të pretenduar, në kuptim të nenit 67(2) të Kodit Penal Austriak, ka ndodhur gjithashtu në Austri. Për këtë arsye, gjykata konfirmoi juridiksionin austriak dhe zbatueshmërinë e legjislacionit austriak për median.”
Çështja vjen në një kohë kur Shqipëria vijon procesin e përafrimit të legjislacionit të saj me standardet e Bashkimit Evropian, përfshirë edhe fushën e medias. Në këtë kontekst, mënyra se si legjislacioni për median zbatohet në praktikë në shtetet anëtare të BE-së mund të shërbejë si pikë referimi për diskutimet mbi përgjegjshmërinë e medias dhe standardet e raportimit.



