“Nuk mund të vendosim sot kufijtë dhe nesër të vendosim se si do të qeveriset territori që krijuam sot”. Kështu shprehet kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj nga burgu duke kërkuar pezullimin e procesit të ndryshimit të hartës së re territoriale dhe ndarjes së bashkive. Veliaj kërkon që cdo ndryshim të konsultohet fillimisht me qytetarët më pas të vendoset.
Ka momente në ushtrimin e një mandati publik kur detyrimi ndaj institucionit, ndaj ligjit dhe ndaj qytetarëve që të kanë besuar votën e tyre përputhen natyrshëm. Por ka edhe momente, kur respektimi i këtij detyrimi kërkon që të thuash qartë atë që mendon, edhe kur mendimi yt nuk është domosdoshmërisht më i lehti për t’u dëgjuar nga njerëzit me të cilët ke ndarë dhe vazhdon të ndash të njëjtën përgjegjësi politike.
Këtë shkresë e konsideroj një moment të tillë.
I përgjigjem kërkesës që më është përcjellë nëpërmjet administratës së Kuvendit, në kuadër të procedurës së iniciuar nga grupi i deputetëve propozues, si përfaqësues i një komuniteti që më ka dhënë drejtpërdrejt mandatin për ta përfaqësuar dhe për t’i shërbyer deri në përfundimin e tij.
Jam pjesë e një shumice politike që ka marrë përsipër modernizimin e shtetit shqiptar, reformimin e institucioneve dhe afrimin e vendit me standardet europiane. Pikërisht për këtë arsye besoj se kemi një përgjegjësi më të madhe: reformat tona nuk duhet t’i masim vetëm me aftësinë për t’i miratuar, por me aftësinë për t’i bërë të qëndrueshme, institucionalisht funksionale dhe legjitime.
Nuk kam një kundërshtim parimor ndaj rishikimit të hartës administrativo-territoriale. Ndryshimet demografike, ekonomike dhe sociale mund ta bëjnë një rishikim të tillë të nevojshëm. Por reforma administrativo-territoriale nuk është vizatimi i një harte të re. Ajo prek autonominë vendore, përfaqësimin demokratik, ushtrimin e mandatit të organeve të zgjedhura, kompetencat dhe funksionet bashkiake, financat vendore, aksesin e qytetarëve në shërbime dhe marrëdhënien kushtetuese ndërmjet qytetarit dhe pushtetit që ai zgjedh më pranë vetes.
Kushtetuta e ka vendosur qeverisjen vendore mbi dy themele: decentralizimin e pushtetit dhe autonominë vendore. Kur bëhet fjalë për ndryshimin e territorit, neni 108 pika 2 nuk i jep ligjvënësit një diskrecion të pakufizuar. Ndarja duhet të mbështetet mbi nevojat dhe interesat e përbashkëta ekonomikë dhe traditën historike, ndërsa kufijtë nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to.
Janë këto premisa që paraprijnë mendimin tim.
Këto garanci kushtetuese duhet të lexohen edhe në harmoni me Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, e cila përbën një standard themelor të mbrojtjes së vetëqeverisjes vendore. Karta kërkon që autoritetet vendore të konsultohen, në kohën dhe mënyrën e përshtatshme, për çështjet që i prekin drejtpërdrejt dhe posaçërisht, që ndryshimet e kufijve territorialë të mos bëhen pa konsultimin paraprak të komuniteteve të prekura. Kjo do të thotë se konsultimi nuk mund të shërbejë për të legjitimuar ex post një zgjidhje territoriale të paracaktuar; ai duhet të zhvillohet në një fazë kur mendimi i komunitetit dhe i institucioneve vendore mund të ndikojë realisht në përmbajtjen e reformës.



