Vilson Bala
Ish-drejtori i Policisë së Durrësit, Vilson Bala, është thirrur këtë të mërkurë nqë Prokurorinë e Posaçme, ku do të merret në pyetje nga hetuesit, në lidhje me kontaktet që ka pasur me biznesmenin e arrestuar, Ergys Agasi.
Bala aktualisht mban postin e drejtorit të Policisë së Korçës, ndërsa gjatë kohës kur ka qenë në krye të bluve në Durrës, ka pasur marrëdhënie me Agasin.
Kjo nuk është hera e parë që Bala ka llogari të hapura me drejtësinë, pasi dhe rreth dy vite më parë emri i tij ka dalë në skenë, se ka dekonspiruar aksione të Prokurorisë, kur mbante detyrën e shefit të Operacionales.
Asokohe u raportua se Vilson Bala, edhe përmes motrës së tij që rezultonte e punësuar në SHISH, Elsa Bala, kishin dekonspiruar aksionet e SPAK, që përfshinin dhe zyrtarë policorë si Ilir Proda dhe Neritan Nallbati.
Bala, së bashku me zyrtarë të tjerë policorë, nuk ishin kontakte të besueshme për Prokurorinë e Posaçme, gjatë operacionit të ndërmarrë në Elbasan për çmontimin e klanit Çopja.
E sikur të mos mjaftonte ky rast, Bala duket se ka shërbyer dhe si mburojë për biznesmenin Ergys Agasi, i vënë në prangat e policisë në datën 26 Gusht, ndërsa arrestimi i tij pasoi dhe me skandalin e të dhënave të SHISH, që çuan nën masën e arrestit të shtëpisë Vlora Hysenin. Bala u largua nga Drejtoria e Policisë së Durrësit në Janar të këtij viti, me urdhër të ish-shefit të tij Ilir Proda.



