Tetë ish-zyrtarë të Shoqërisë së Parë Financiare të Zhvillimit, FAF, janë dërguar në gjyq për shpërdorim detyre, mes tyre ish-administratori Dashamir Qeli dhe ish-kryetarja e Këshillit Mbikëqyrës, Ilda Malile.
Ata akuzohen për shkelje në procedurën e blerjes së një automjeti për 1.6 milionë lekë dhe punësimin e një shoferi të ri.
Makina e blerë në vitin 2016, sipas Prokurorisë ishte parashikuar të zëvendësonte punën e 6 mjeteve.
Por hetuesit kanë arritur në përfundimin se një automjet i vetëm nuk mund të përmbushte nevojat e FAF-it, që kishte 30 degë në 30 rrethe të vendit.
Pavarësisht se në organikë kishte tashmë 6 shoferë pa mjete, për makinën e sapoblerë u hap edhe një vend i ri pune dhe u punësua një shofer i shtatë.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se automjeti kishte qenë më parë në pronësi të Ilda Maliles, në atë kohë kryetare e Këshillit Mbikëqyrës të FAF-it dhe ish-sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, e përfolur në media si një prej personave të besuar të ish.zv-kryeministrit në arrati, Arben Ahmetaj.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, procedura për blerjen e automjetit është kryer pa miratimin e ministrit të Financave të kohës, ndërsa në dosjen e tenderit mungonte argumentimi i kritereve të veçanta të kualifikimit.
Hetimi për këtë çështje nisi në vitin 2020 dhe procedimi iu përcoll Prokurorisë së Tiranës nga SPAK.



