Mesa duket, opozitarët e kanë “ndarë mendjen” që gjithçka që ndodh në rajon, apo dhe në botë, t’ia faturojnë Shqipërisë. Së fundmi ka qenë deputeti demokrat, Xhelal Mziu, i cili ka postuar pamjet e protestës së nxënësve në Mal të Zi, duke e “shitur” sikur të kishte ndodhur në Tiranë dhe pikërisht në gjimnazin “Qemal Stafa”.
“Gjimnazistët i japin përgjigje Padrinos për dhunën ndaj qytetarit”, shkruan Mziu, postim të cilin e ka shoqëruar dhe me flamurin kuqezi dhe me mirënjohje për këta të rinj të cilët sipas demokratit janë ngritur pas “dhunimit” të “prindit” të një prej tyre pranë gjimnazit “Qemal Stafa”.
E ndonëse komentuesit i kanë tërhequr vërejtje Mziut, duke ia bërë të qartë faktin se kjo video nuk është filmuar në Shqipëri, vetë deputeti ka vendosur “t’i injorojë” këto komente duke mos fshirë postimin e tij.
“Gjimnazistët i japin përgjigje Padrinos për dhunën ndaj qytetarit! Të revoltuar nga dhuna ndaj prindit në derën e gjimnazit “Qemal Stafa”, gjimnazistët braktisin mësimin dhe hidhen në protestë Nderim për guximin e tyre! Ju lumtë”, shkruan Mziu.
Sqarojmë se video e postuar nga deputeti Xhelal Mziu është filmuar tre ditë më parë ku nxënësit e Shkollës së Mesme “25 Maji” në Tuz të Malit të Zi dolën në protestë pas vendimit të drejtuesve për largimin nga puna të profesorit të historisë, Mark Juncaj.
Të rinjtë kërkuan dorëheqjen e drejtorit Sehad Lulanaj, duke e cilësuar vendimin si të padrejtë dhe si cenim të të drejtave të tyre. E si rrjedhojë nuk ka lidhje aspak me ngjarjen e regjistruar ditën e sotme në Tiranë, ku pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.



