Protesta kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik në Vlorë është shoqëruar me tensione dhe përplasje me Policinë, ndërsa kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj kundërshtarëve të projektit.
Pas tubimit, ku një pjesë e protestuesve tentuan të hynin në kantierin ku po zhvillohen punimet, Rama reagoi përmes një postimi në platformën “X”, duke hedhur poshtë pretendimin se projekti po dëmton apo po shkatërron Muzeun “Labëria”.
Sipas kryeministrit, Muzeu Hebraik po ndërtohet në një godinë tjetër, një banesë e viteve 1850, pranë Muzeut Etnografik. Rama argumenton gjithashtu se edhe godina e Muzeut “Labëria” është parashikuar të rehabilitohet.
Në reagimin e tij, kryeministri përdori një gjuhë të ashpër ndaj protestuesve dhe veçanërisht ndaj Bujar Leskajt, duke i akuzuar ata se po kundërshtojnë projektet e transformimit të Vlorës.
“Një grup delenxhinjsh me në krye Lesko pijanikun kanë mësyrë sot në kantierin e Muzeut Hebraik të Vlorës”, shkruan Rama, duke e cilësuar pretendimin për shkatërrimin e Muzeut “Labëria” si “shpifarak”.
Rama deklaron se, me kërkesën e tij, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit ka akorduar 200 mijë dollarë për hartimin e projektit të rijetësimit të Muzeut “Labëria”. Sipas tij, godina do të rehabilitohet paralelisht me ndërtimin e Muzeut Hebraik.
Kryeministri e lidh protestën edhe me kundërshtime të mëparshme ndaj projekteve të ndryshme në Vlorë, duke pretenduar se bëhet fjalë për të njëjtin model reagimi ndaj kantierëve të transformimit urban.
Protestuesit kundërshtojnë kërkojnë ndalimin e projektit, pasi pretendojnë se ndërtimi po bëhet në godinën e Klubit Patriotik “Labëria”, të cilin e konsiderojnë pjesë të rëndësishme të historisë dhe identitetit të qytetit.
Sipas protestuesve, kjo zonë mbart një rëndësi të veçantë për historinë kombëtare shqiptare, sepse lidhet me Ismail Qemalin dhe firmëtarët e Pavarësisë, ndaj kërkojnë që hapësira t’i kushtohet historisë dhe identitetit kombëtar.
Qytetarët shprehen se ndërtimi i Muzeut Hebraik pikërisht në këtë vend cenon, sipas tyre, simbolikën historike të zonës dhe unitetin kombëtar. Disa prej tyre e konsiderojnë projektin një “vulë turpi”, duke pretenduar se ai zbeh historinë e vendit



