Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë bota kujtojnë sot sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001, në zemër të vendit lider të demokracisë dhe lirive. Rrëzimi i kullave binjake bëri që Amerika të niste një sulm të ashpër ndaj Al Kaedës dhe organizatave të tjera terroriste.
Ngjarja e 25 viteve më parë, ndryshoi përgjithmonë Amerikën dhe qasjen e vendit ndaj terrorizmit.
Përplasja e dy avionëve që u rrëmbyen në ajër nga terroristët e Al Kaedës, me dy kullat në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork, shkaktoi 2.977 viktimat, ndërsa në kullat binjake ishin 2.752, mes tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civil të 70 kombësive të ndryshme.
Në mesin e shumë burrave, grave dhe fëmijëve që humbën jetën në atë ditë fatale, ishin tre shqiptarë: Simon Dedvukaj, Roko Camaj dhe Mon Gjonbalaj. Simon Dedvukaj ishte vetëm 26-vjeç dhe drejtonte kompaninë që merrej me mirëmbajtjen e Qendrës Tregtare Botërore.
Roko Camaj ishte shqiptar nga Mali i Zi. Ai prej vitit 1970 punonte si pastrues i xhamave të një prej kullave. Kur kulla u godit nga aeroplani ai ishte në katin e 105-të. 60-vjeçari telefonoi gruan atë moment dhe i tha të mos shqetësohej sepse “tani ishte në duart e Zotit”.
65-vjeçari nga Kosova, Mon Gjonbalaj gjithashtu kishte një kohë të gjatë, rreth 30 vjet, që punonte si portier në njërën prej kullave. Ai telefoni familjarët atë mëngjes dhe u tha të bëheshin të fortë e të qëndronin gjithmonë të lidhur me njëri-tjetrin.



