Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke folur për çështjen e inceneratorëve dhe urdhër-arrestin ndaj tij. Në një intervistë me “Çim Peka Live”, Ahmetaj pretendoi se procedurat për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit janë përdorur për ta bërë atë “kokë turku”, ndërsa mohoi përgjegjësinë për vendimet që, sipas tij, i atribuohen.
“Kur më doli emri për t’u arrestuar, Erion Veliaj hapi një shishe uiski. Këta do festonin, do hapnin dhe një shishe tjetër, kur unë në burg, për shkak të gjakxehtësisë time, do isha eliminuar”, u shpreh Ahmetaj.



