Pse ILD duhet të shqyrtojë dosjet e vendimeve të Gjykatave për dy biznesmenët në konflikt

spot_img
Advertisements

Biznesmeni Luan Muça, pronari i grupit ekonomik “Delta Holding”, u la në masën “detyrim për paraqitje”, ndërsa për tre shoqëruesit e tij në konfliktin e ashpër që ndodhi me sipërmarrësin vlonjat, Vasil Bedinaj, në hotel “Regina” në Radhimë, Mandrit e Klaudio Lleshaj dhe Blerim Heta, gjykata e Vlorës caktoi “arrest me burg”.

Nga ana tjetër, shoferi i Bedinaj, Angjelo Breshani, që dyshohet nga Policia se ka qëlluar me pistoletë mbi automjetin në largim të Luan Muçës, u vendos në “arrest shtëpie”.

Këto janë verdiket e dhënë nga trupa gjyqësore e qytetit bregdetar mesditën e kësaj të Diele, ndërkohë që masat nuk përkojnë aspak me panoramën e rëndë që prezantoi Drejtori i Policisë së Vlorës, Edvin Ndreu, në një konferencë për media mbrëmjen e së Enjtes së javës që lamë pas.

Ngjarja e ka zanafillën mesditën e 3 shtatorit 2026. Një telefonatë mbërriti në Sallën Operative të Vlorës nga sipërmarrësi Vasil Bedinaj. Ai denoncoi se një grup prej 10 personash të armatosur kishin mësyrë në resortin e tij dhe i kishin vendosur “gjobë” 5 milionë euro, nën kërcënimin e tytave të kallashnikovëve.

Shefi i Policisë tha se Luan Muça kishte shkuar në resortin e Vasil Bedinaj në Radhimë, i shoqëruar me disa persona të tjerë, të cilët rezultoi se ishin përfaqësues të kompanisë së sigurisë private, “Swat Security”.

Më tej, drejtori i Policisë tha se ishte kryer arrestimi në flagrancë i shtetasve: Luan Muça, Klaudio Lleshaj, Mandrit Lleshaj, Blerim Heta, Angjelo Breshani, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje” e mbetur në tentativë, “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.Dinamika e prezantuar nga shefi i Policisë së Vlorës paraqiste një situatë realisht të rëndë, me kryerjen e veprave penale serioze.

Por, vetëm tre ditë më pas, vendimet e gjykatës tregojnë një situatë shumë më të ndryshme. Nga pesë personat e arrestuar në flagrancë, vetëm tre prej tyre u lanë në masën “arrest me burg”.Biznesmeni Luan Muça, i cili duket si një prej personazheve kyç të konfliktit, u vendos në masën “detyrim për paraqitje”. Ndërsa Angjelo Breshani, shoferi i “kundërshtarit” Vasil Bedinaj, që u arrestua nga policia se kishte qëlluar me armë në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi automjetin në largim të Muçës, u vendos në “arrest shtëpie”.

Këto masa të buta, krahasuar me veprat e dyshuara paraprakisht nga Policia ngrenë një pikëpyetje mbi mënyrën se si është trajtuar situata në zyrat e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.

Policia e Vlorës e evidentoi shtetasin Angjelo Breshani, shoferin e biznesmenit vlonjat Vasil Bedinaj, si personi që ka qëlluar në drejtim të automjetit të sipërmarrësit Luan Muça.

Referuar kësaj dinamike, duket se Policia i ka atribuuar veprë penale të “vrasjes së mbetur në tentativë”, pikërisht Breshanit. Por, ndaj tij, gjykata caktoi “arrest në shtëpi”, një masë shumë më e butë, krahasuar me rrezikshmërinë e veprës penale.

Fakti që gjykata është treguar e butë me Breshanin, në rastin më të mirë tregon se referimi i Policisë mund të ketë qenë i paplotë për rolin e këtij personazhi në konflikt.

Në një letër drejtuar mediave, Muça rrëfen konfliktin që, sipas tij, lidhet me pronat në Palasë, ku thotë se ka investuar prej vitit 2019 dhe ka përfituar statusin e investitorit strategjik.

Ai pretendon se pas zbulimit të një lejeje ndërtimi mbi tokën që thotë se ka blerë, është përballur me Bedinajn dhe se takimi mes tyre në Orikum ka përfunduar me të shtëna me armë. Muça kundërshton gjithashtu akuzën për gjobëvënie, për të cilën thotë se u mbajt i ndaluar për 72 orë, ndërsa akuzon palën tjetër për manipulim të opinionit publik dhe kërkon nga Policia e Shtetit zbardhjen e plotë të ngjarjes.

spot_img

Latest articles

Related articles