Lëvizje të reja kanë ndodhur në Policinë e Shtetit sot në 31 gusht.
Sipas informacioneve mësohet se Luigj Vathi është emëruar drejtor i ri i Kufirit dhe Migracionit në Korçë. Luigj Vathi ka qenë më herët drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.
Ndërkohë Gëzim Zhupaj, i cili mbante këtë detyrë përreth 2 vite është transferuar shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Po ashtu burime bëjnë me dije se Kastriot Skënderaj pritet të emërohet drejtor në Drejtorinë Vendore të Policisë së Elbasanit.
Ai do të zëvendësojë në këtë detyrë Fatmir Hoxhën.
Mësohet se lëvizje janë bërë edhe në qarqe të tjera.
Ndryshimet vijnë pak ditë pasi ka hyrë në fuqi ligji i ri i Policisë së Shtetit, që tashmë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit mund të kryejë emërime të drejtorëve dhe të shefave të Komisariateve pa garë, nëse ai e sheh të arsyeshme se i japin impulse të reja rendit dhe qetësisë publike.
Prej shtatorit 2024, një praktikë e tillë ishte e pamundur, me ndryshimet në ligjin e Policisë së Shtetit të asaj kohe, i cili i hapi rrugë konkurrimit për nivelet më të larta drejtuese te blutë.



