Një ngjarje tragjike u regjistrua këtë të hënë, ku një 37-vjeçare e cila ishte në muajin e 7-të të shtatzënisë, humbi jetën pas komplikacioneve me shëndetin. Gjatë një prononcimi për mediat, motra e saj, mes lotësh ka hedhur akuza ndaj mjekëve të spitalit të Pogradecit për neglizhencë.
Ajo tha se e kishte çuar të motrën në maternitetin e Spitalit të Pogradecit dhe mjekja roja pas kryerjes së ekos, ka zbuluar një mpiksje gjaku tek gruaja shtatzënë. Pas kësaj, doktoresha ka kërkuar që e reja të transportohej drejt Tiranës.
“Në orën 12 më merr motra dhe më thotë hajde se kam dhimbje të forta barku dhe shkova se jemi afër dhe e çova te Maternitet se motra ishte shtatzënë. Atje ishte mjekja roje dhe i bëri një eko ku kishte një gjakderdhje dhe pastaj ajo tha direkt që dua të çojmë për Tiranë. U mblodhën infermierët dhe thanë që duhet çuar sa më parë. Dëgjova që po flinin helikopteri, helikopteri duhet të vije. Disa thonin që nuk vjen se është natë, ajo tha se nuk se çfarë i bëj më këtu. duhet ta çojmë për në Tiranës”, tha motra e viktimës.
Po ashtu, më tej ajo tha mjekët e dërguan në reaminacion, ku e mbajtën për katër orë. Më pas ata kanë vendosur që ta nisin gruan shtatzënë drejt Tiranës.
“Pastaj ajo bëri një telefonatë dhe më pas erdhën mjekët e reaminacionit të spitalit të Pogradecit dhe tha që duhet ta çojmë menjëherë. Ata thonin që smund ta çojmë pa pasur një mjek me vete se ajo ishte shtatzënë Pastaj e çuan në reaminacion dhe pati disa vonesa të tjera. Me ambulancë e nisën nga ora 4 e ca dhe ajo kishte dhimbje gjatë gjithë kohës. Në spitalin e Pogradecit, nga ora 1 në orën 4, i bënë serume dhe i dhanë gjak”, tha ajo.
Motra e gruas fatkeqe tha se ishte ajo insistoi që ta nisnin drejt Tiranës, pasi 37-vjeçarja kishte shumë dhimbje.
“Unë insistatova që ta çonim më shpëjt drejt Tiranës se po e shihja që kishte shumë dhimbje. Pastaj sollën një infermier dhe morëm ambulancën edhe erdhëm drejt Tiranës”, deklaroi ajo.
Ndërsa në fund motra e 37-vjeçares ka kërkuar drejtësi. Sipas saj, nëse do të ishin më herët drejt Tiranës, motra e saj do të kishte shpëtuar.
“Dua vetëm drejtësi, nëse iku nga pakujdesia apo nga shkaet e tjera natyrore. Po të kishte pasur më shumë ndihmë, motra do kishte shpëtuar, ndoshta fëmija jo, po ajo do kishte shpëtuar. Nëse do ishim nisur më herët, qoftë edhe gjysmë ore do të kishim arritur më shpejt në Tiranë”, theksoi motra e së ndjerës.



