Më shumë se 1.600 produkte bazë të konsumit dolën këtë të hënë në treg me çmime të ulura në Greqi, në kuadër të një programi të qeverisë që synon të lehtësojë koston e jetesës për familjet. Nisma bazohet në marrëveshje të posaçme me furnizuesit dhe përfshin ushqime, produkte të përditshme, si edhe artikuj shkollorë, pak para nisjes së vitit të ri shkollor.
Sipas kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, programi pritet të sjellë ulje të çmimeve nga 5% deri në 7% gjatë dy deri në katër muajve të ardhshëm. Në një postim në rrjetet sociale, ai tha se kjo nuk i zgjidh të gjitha problemet që rëndojnë buxhetin e familjeve, por përbën një lehtësim konkret, veçanërisht në një periudhë kur shumë prindër përballen edhe me shpenzimet e fillimit të shkollës.



