Sekretari për Aksionin Qytetar në Partinë Demokratike, Erges Eskiu, ka hedhur akuza të forta lidhur me koncesionin e hemodializës, duke iu referuar të dhënave të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Eskiu deklaroi se Klodian Allajbeu, pronar i rrjeteve të Spitalit Amerikan dhe Hygeia, rezulton përfituesi kryesor i koncesionit, përmes kompanisë “Dia Vita”. Sipas tij, në gjashtë vite janë paguar rreth 15.1 miliardë lekë, ose afërsisht 150 milionë euro.
Duke iu referuar vitit 2022, Eskiu tha se nga 193,878 seanca hemodialize, vetëm 10,766 janë kryer në spitalet publike, ndërsa 183,112, ose 94.4%, janë realizuar nga sektori privat dhe PPP-ja.
Sipas PD-së, ndërtimi i qendrave publike të hemodializës në 11 qarqe do t’i kushtonte shtetit rreth 4.5–5 milionë euro, ndërsa edhe me investime më të mëdha kostoja nuk do të kalonte 10 milionë euro.
Eskiu pretendoi gjithashtu se kostoja e trajtimit për pacient do të ishte të paktën 50% më e ulët se ajo e koncesionarit.
Ai ngriti akuza edhe për mënyrën e dhënies së tenderit, duke deklaruar se koncesioni është dhënë pa garë dhe se raporti i KLSH-së ka evidentuar shkelje, përfshirë pretendime për rritje fiktive të numrit të seancave dhe refuzim të shërbimit për pacientë me sëmundje akute.
Eskiu e cilësoi koncesionin si një skemë që, sipas tij, ka dëmtuar interesin publik dhe shëndetin e qytetarëve.
PD deklaroi se do t’i referojë materialet në organet ligjzbatuese dhe premtoi se, në rast ardhjeje në qeveri, do të rishikojë praktikat koncesionare në shëndetësi, duke synuar rikthimin e shërbimeve në fokusin publik dhe vendosjen e pacientit në qendër.



