Arrestohet në Ekuador “Caballo”, i dyshuar si pjesë e rrjetit të Dritan Gjikës. Autoritetet ekuadoriane kanë arrestuar Pablo Adrián Hidalgo Tuárez, i njohur me nofkën “Caballo”, i cili dyshohet se ka pasur rol financiar në një strukturë kriminale të lidhur me shqiptarin Dritan Gjika me origjinë nga Shkodra.
Hidalgo Tuárez u arrestua më 24 gusht 2026, në kantonin La Maná, në provincën e Cotopaxi, gjatë një operacioni të forcave të armatosura ekuadoriane, në koordinim me Prokurorinë. Sipas raportimeve të mediave lokale, ai kishte një urdhër arresti aktiv që prej vitit 2024.
Sipas autoriteteve dhe raportimit të Ecuavisa, ai konsiderohet pjesë e rrjetit të lidhur me mafien shqiptare në Ekuador.
Për çfarë dyshohet?
Narkotrafik dhe pastrim parash – Hidalgo është i përfshirë në çështjen “Pampa”, një hetim i Prokurorisë për një rrjet që dyshohet se trafikonte kokainë nga Ekuadori drejt Evropës dhe pastronte të ardhurat përmes kompanive. Sipas hetimit, ai është identifikuar si operator financiar i organizatës së lidhur me mafien shqiptare.Ka pasur urdhër arresti që nga viti 2024 dhe në çështjen Pampa është dërguar për gjykim si një nga personat që dyshohet se ka marrë pjesë në këto aktivitete. Hetimi flet për një aktivitet me vlerë mbi 43 milionë dollarë, të realizuar përmes kompanive të eksportit bujqësor dhe kompanive të shitblerjes së pasurive/automjeteve.
Lidhja me shqiptarët?
Lidhja kryesore është me Dritan Gjikën (Dritan Gjika), të cilin autoritetet ekuadoriane e konsiderojnë një nga figurat kryesore të rrjetit të mafies shqiptare në Ekuador.Në materialet e hetimit “León de Troya”, Hidalgo del në rrethin e njerëzve dhe kompanive të lidhura me Gjikën. Një raport hetimor për këtë çështje e përmend Hidalgo-n si person të afërt me strukturën dhe si person që kishte rol në transportin dhe logjistikën e drogës, ndërsa Gjika shfaqet si figura shqiptare me të cilën lidhet struktura.



