Ardjan Malasi, një biznesmen i njohur dhe i respektuar në Mallakastër, ka ndërruar jetë këtë të mërkurë në Burgun e Sigurisë së Lartë në Fier. Raportohet se Malasi kishte kërkuar ndihmë nga stafi i burgut për shkak se nuk po ndihej mirë dhe është nisur me urgjencë drejt spitalit të Fierit.
Fatkeqësisht, mjekët kanë konfirmuar vdekjen e tij, duke mos pasur mundësi të bënin asnjë ndërhyrje. Paraprakisht, bëhet me dije se biznesmeni Ardjan Malasi ka pësuar heorragji cerebrale.
Ardjan Malasi ishte deklaruar fajtor dhe dënuar me 8 vite burg (Siguri e lartë) për kryerjen e veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë të, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”.
Ai u arrestua pak vite më parë në kuadër të një operacioni të SPAK, kundër ish-drejtoreshës së Kadastrës në Durrës, Rajmonda Dashi, e cila u shpall fajtore sepse kishte ndihmuar dy vëllezërit e saj trafikantë droge të pastronin paratë me apartamente.
Bëhet fjalë për 16 apartamente në Tiranë e Fier, garazhe dhe tokë. Një nga këto pasuri, ishte blerë dhe nga biznesmeni Ardjan Malasi, çka çoi më vonë në arrestimin dhe dënimin e tij me 8 vite burg nga Gjykata e Posaçme.



