Ndahet nga jeta Shik Stërmasi, qëndrestari antikomunist

spot_img
Advertisements

Shpëtim Stërmasi, i njohur në Tiranë më shumë si Shik Stërmasi, ka mbyllur sytë përgjithmonë. Lajmin e trishtë e kanë konfirmuar familja dhe miqtë, mbrëmjen e djeshme, mes dhimbjes për ikjen e një prindi shembullor dhe një qytetari model të kryeqytetit.

Ai i përket një familje patriotike, atdhetare, intelektuale dhe qëndrestare antikomuniste të Tiranës.

Tiranasit e periudhës diktatoriale e njihnin Shikun një qytetar qëndrestar, të ndershëm, të fuqishëm, i pa pajtueshëm me padrejtësinë, dhe mbrojtës i palodhur ndaj atyre që nuk kishin mundësinë për ta përballuar padrejtësinë!

Unioni Mbarëkombëtar Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë të cilin ai e drejtonte, njoftoi gjithashtu me dhimbje të thellë ndarjen nga jeta të qëndrestarit antikomunist, ish të burgosurit politikë, Anëtarit të Presidencës së Unionit dhe Kryetarit të Unionit për Qarkun e Tiranës.

Babai i tij Ramazan Stërmasi një specialist profesionistë për inxhinierinë elektrike që dha një kontribut të lartë në ndërtimin e Hidrocentralit të Lanabregasit por komunizmi e dënoi politikisht si armik të komunizmit, dhe mbas dënimit të patriotit Ramazan Stërmasi, diktatura komuniste i dënoi dhe dy djemtë e tij Shpëtimin dhe Nezir Stërmasin. Nga kjo familje tre të dënuar politikë! Babai dhe dy djemtë!

“Qëndresa dhe përballimi i torturave çnjerëzore nga xhelatët e komunizmit si xhelati Florian Kolaneci një mostër i torturave në hetuesinë e Tiranës, jo që nuk e mposhtën Shikun, por e burrëruan dhe më shumë duke i shtuar lavdinë familjes së njohur dhe atdhetare Stërmasi! Shiku u dashuruar dhe u martua me një tiranase të denjë, trime, Shpresa me të cilën kur u arrestua e la djalin tre muajsh, dhe për 15 vite kjo grua trime heroinë do të shkonte me Taulantin e vogël në Spaç fhe Burrel dhe do ti jepte forcë qëndresës së Shikut tonë të dashur! Këta heronj Babai Ramazani, djemtë Shiku e Neziri diktatura i dënoi por nuk mundi të ju merrte dinjitetin, qytetarinë dhe forcën për të jetuar!

Shik Stërmasi u përket heronjve të pamposhtur të diktaturës, ai qëndroi stoik ndaj xhelatëve të diktaturës dhe kështu e gjeti sistemi i ashtuquajtur demokratik në vitet 90. Kujtojmë me mall shumë të madh kontributin që jepnin Shiku dhe ne bashkëvuajtësit e tijë në 90-91-92 duke përçuar paqen dhe jo urrejtjen, një virtyt njerëzor që gjatë këtij tranzicioni komunist nuk e gjetëm tek ata që i shërbyen diktaturës! Shiku energjik i palodhur, aspak hakmarrës filloi detyrat në drejtimin e policisë së shtetit, ai shkoi shef komisariati në Burrel në vendin ku kreu dënimin politik, por tregoi trimëri, dinjitet dhe jo hakmarrje. Viti i zi i 97 revolucioni stalinist që pushtoi Shqipërinë e gjeti Shikun komandant të forcave speciale ku tregoi largpamësinë dhe profesionalizmin e tij duke shmangur vëllavrasjet dhe konfrotimet me stalinistët e rinj që muarën pushtet me forcën e armëve. Mbas viteve 2000 Shiku do të drejtonte Unionin e të përndjekurve politikë të Tiranës deri kur mbylli sytë përgjithmonë.

Ai së bashku me Shpresën rritën dhe edukuan dy fëmijë të mrekullushëm Taulantin dhe vajzën e e vogël të tij. Taulanti u bë një intelektual dhe një tranjeri i sportit të atletikës duke dhënë një kontribut të madh në atletikën shqiptare, dhe krenonte Shikun e Shpresën, familjen Stërmasi, dhe Tiranën e Shqipërinë!

Familjet e mëdha e atdhetare ndërtojnë kombe!

Lamtumirë Shiku jonë i dashur, ti na ike shpejt por le vepra të mëdha për Tiranën tënde të dashur! Unioni humbi drejtuesin e palodhur dhe të devotshëm. Familja humbi një ikonë dhe një prind të dashur dhe të mire!

Dheu i Tiranës qoftë i lehtë miku bashkëvuajtësi dhe qytetari i dinjitetshëm Shik Stërmasi! Emri i juaj do të jetojë për qëndresën dhe dinjitetin njerëzor duke u bërë frymëzim për brezat”, shkruan Besim Ndregjoni, nga Unioni Mbarëkombëtar Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë.

spot_img

Latest articles

Related articles