Intervista që Yuval Noah Harari dha këtë javë për The Economist ishte vërtet interesante jo vetëm për atë që tha, por edhe për vendin ku e tha.
Së pari, The Economist është një media me besim të fortë te progresi, tregu i lirë, shkenca teknologjia dhe transhumanizmi. Politika e saj editoriale ka qenë përgjithësisht më afër idesë se teknologjia mund ta përmirësojë njeriun sesa një skepticizmi themelor ndaj inteligjencës artificiale. Pikërisht për këtë arsye intervista merr peshë të veçantë.
Së dyti, edhe Harari është lexuar shpesh si një prej zërave intelektualë të botës transhumaniste. Jo sepse është në listëpagesën e ndonjë “Sorosi”, por sepse librat e tij të parë e paraqitën kalimin nga Homo sapiens te Homo deus si një mundësi reale historike.
Megjithatë, përshkrimi i një të ardhmeje nuk është domosdoshmërisht miratim i saj. Në intervistën e fundit, Harari shfaqet thellësisht skeptik ndaj AI-së. Sipas tij, njerëzimi ndodhet përballë një mundësie të madhe, por edhe një prove vendimtare. Xhindi ka dalë nga llamba e Aladinit dhe dëshira për një inteligjencë më të fuqishme është përmbushur. Pyetja është: a do ta ketë njeriu urtësinë që këtë fuqi ta vendosë në shërbim të një bote më të mirë?
Së treti, AI po hyn në një botë gjithnjë e më skeptike ndaj njeriut, por jo domosdoshmërisht ndaj makinës.
Njerëzit mund të mos jenë kundër medias si institucion, por janë skeptikë ndaj gazetarëve që prodhojnë lajmet. Ndërkohë, informacionit të gjeneruar nga AI mund t’i jepet lehtësisht një aureolë neutraliteti: makina, mendojmë ne, nuk ka ego, bindje politike apo interesa personale.
Por ky është një iluzion i rrezikshëm. AI nuk ka nevojë të ketë ambicie njerëzore që të manipulojë. Mjafton të jetë ndërtuar, trajnuar ose optimizuar nga institucione që kanë interesa. Pas çdo qendre të dhënash qëndron një pronar, një model biznesi, një shtet, një sistem vlerash dhe një qëllim i caktuar.
Së katërti, AI mund të krijojë mekanizma dhe transaksione financiare aq të ndërlikuara, saqë njeriu të mos jetë më në gjendje t’i kuptojë. Në atë çast, njerëzit nuk do t’i dorëzojnë makinës vetëm administrimin e sistemit financiar; do t’i dorëzojnë edhe aftësinë për ta shpjeguar, kontrolluar dhe rregulluar atë.
Një sistem që nuk kuptohet nga njeriu nuk mund të kontrollohet realisht prej tij. Humbja e kontrollit epistemik do të shndërrohej shumë shpejt në humbje të kontrollit ekonomik dhe politik.
Së pesti, AI po kryen një revolucion që ende nuk e kemi kuptuar plotësisht. Dhe ky nuk është vetëm revolucion teknologjik apo ekonomik. Është edhe revolucion kulturor.
Chatbot-et po bëhen gjithnjë e më miqësore, bindëse dhe emocionalisht të përshtatura për brezin e ri. AI mund ta industrializojë intimitetin: të prodhojë në masë miqësi, këshilltarë, partnerë emocionalë, të dashur dhe të dashura virtuale. Filmi Her nuk duket më aq shumë si fantashkencë.
Njëkohësisht, AI është emigranti i ri që po hyn në tregun e punës. Por ky emigrant nuk ka nevojë për vizë, nuk fle, nuk lodhet dhe arrin me shpejtësinë e dritës. Ai nuk konkurron vetëm me punëtorin e fabrikës. Konkurron edhe me gazetarin, programuesin, financierin, juristin, përkthyesin dhe gjithë shtresën e mesme profesionale.
Çështja vendimtare, pra, nuk është vetëm nëse AI do të bëhet më inteligjente se njeriu. Çështja është nëse njeriu do të vazhdojë të jetë autori i botës së vet.
Për herë të parë kemi krijuar një teknologji që nuk kufizohet te zbatimi i urdhrave tanë: ajo mund të interpretojë, të vendosë, të bindë dhe të prodhojë kulturë. Mundësia që na jep historia qëndron pikërisht këtu — kufijtë mund t’i vendosim ende sot. Nesër mund të jetë AI ajo që do t’i vendosë për ne.
Përgatiti: Xhodi Hysa



