Një burrë u hodh me makinë në ujërat e portit të Cattolica-s në Itali, së bashku me gruan e tij, pas një grindjeje të dhunshme mes tyre. Të dy arritën të shpëtonin në momentet e fundit, ndërsa burri, pasi u ndihmua nga kalimtarët, u largua dhe tani po kërkohet nga karabinierët në të gjithë territorin.
Një grindje e ashpër mes burrit dhe gruas në kabinën e makinës së tyre dhe, papritur, burri e lëshon makinën me gjithë shpejtësinë mbi kalatën e portit, duke u hedhur më pas në ujin e detit.
Momente terrori në portin e Cattolica-s, ku të mërkurën pasdite, rreth orës 16:00, shumë njerëz që ndodheshin aty dëshmuan një skenë si në film.
Në bordin e Volkswagen Golf, sipas asaj që është mësuar, ndodhej një shqiptar 45-vjeçar, banues në San Giovanni in Marignano, i cili është përpjekur t’i japë fund jetës së tij dhe të vrasë gruan.
Nga përplasja me ujin, dyert u hapën dhe, ndërsa automjeti po fundosej, të dy arritën të dilnin nga kabina dhe u shpëtuan nga disa persona që u hodhën në det.
Alarmi bëri që në port të mbërrinin mjetet e 118-s, përveç zjarrfikësve, karabinierëve dhe efektivëve të Kapitenerisë së Portit.
Personeli mjekësor u dha ndihmën e parë burrit dhe gruas, por papritur burri, sapo u përmend, u arratis mes shkëmbinjve, duke humbur gjurmët e tij.
Gruaja, një 40-vjeçare italiane, në një gjendje të kuptueshme shoku, u transportua në spital, ku nuk është në rrezik për jetën.
Shqiptari 45-vjeçar, aktualisht në kërkim nga karabinierët, ishte një person i njohur prej kohësh për forcat e rendit, pasi të martën ishte arrestuar nga karabinierët për rezistencë ndaj autoriteteve, pas një tjetër grindjeje me gruan.
Ndërkohë, po vazhdojnë operacionet për të nxjerrë Golf-in nga ujërat e portit.



