“Jam vetëdorëzuar, i prisja që të vinin!”, kjo ka qenë deklarata e Ylli Zallës mesditën e kësaj të mërkure teksa doli para togave të zeza, dy ditë pas arrestimit të tij.
Burime për mediat bëjnë me dije se ashtu sikurse dhe dhjetëra herë të tjera gjatë deklaratave të tij nga arratia, edhe ditën e sotme ai ka hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tij dhe përfshirjen në atentatin e Riansit, ku mbetën viktima Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani,
Gjatë fjalës së tij, Zalla ka kundërshtuar versionin se është përpjekur t’i shpëtojë RENEA-s, duke thënë se ka qenë vetë ai që ka dalë përballë efektivëve dhe është dorëzuar.
“Jam vetëdorëzuar, i prisja që të vinin. Isha aty afër. Policia e Shtetit, policia e Tiranës edhe e Krujës më kanë futur në hasmëri me gjithë zonën dhe duan të më vrasin”, është shprehur ai.
Megjithatë Gjykata ka vendosur që ta lërë në burg. Zalla akuzohet për veprat penale që lidhen me armët dhe municionet e gjetura në pronën e e tij, teksa prej muajsh ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se u ka dhënë armë autorëve të përfshirë në atentatin e nëntorit të vitit të kaluar.



