Më 13 gusht 2026, në moshën 64-vjeçare, u nda papritur nga jeta Skënder Muharrem Haluci. Ai ndodhej me pushime familjare në bjeshkët e Tropojës.
Ish-i dënuar me vdekje nga regjimi komunist, ish-i burgosur politik dhe ish-kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, ai mbetet një nga figurat e rralla që përballoi dhunën e diktaturës dhe më pas shërbeu me dinjitet në sistemin e drejtësisë.
I lindur në vitin 1961 në Bujan të Tropojës, në një familje me tradita antikomuniste, Skënder Haluci u arrestua në nëntor 1983 së bashku me kushëririn e tij Isuf Ismail Halucin.
Pas vizitës së Ramiz Alisë në veri, aparati i Sigurimit formuloi ndaj tyre 13 akuza politike, ku spikaste akuza për organizimin ei një atentati ndaj udhëheqësit komunist.
Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë i dënoi të dy me pushkatim.
Në qelitë e izolimit, përballë dënimit kapital, Isuf Haluci u përpoq të shtynte sa më shumë pushkatimin dhe shpiku “Lojën e Thesarit në lumin e Valbonës”, një rreng që për muaj të tërë mbajti në lëvizje dhe demaskoi aparatin hetues dhe famëkeq të Sigurimit.
Presidiumi i Kuvendit Popullor e tjerësoi dënimin me vdekje në 25 vite burgim politik, ndrësa situata politike në Shqipërinë po acarohej.
Ai vuajti mbi shtatë vite e gjysmë izolim e punë të detyruar (nga nëntori 1983 deri në qershor 1991), kryesisht në burgjet e tmerrshme të Spaçit dhe Burrelit. Në këto burgje famëkeqe ishin syrgjynosur shumë patriotë të tjerë shqiptarë, miq dhe të afërm të Skënderit dhe Isufit dhe shumë kushërinj të familjes time.
Pavarësisht tmerreve të burgut, karakteri i Skenderit mbeti i pathyeshëm.
Pas rënies së regjimit, ai përfundoi studimet në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës më 1995. Nga viti 1996 deri në 2011 shërbeu si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Më pas u transferua në Vlorë, ku nga tetori 2014 deri në mars 2020 ushtroi detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Më parë kishte punuar pranë Avokatit të Popullit. Në vitin 2020 u shkarkua nga sistemi i drejtësisë pas procesit të vetingut; të cilin ai e cilësoi si “dënim me vdekje për herë të dytë”.




