Çupi: Një vit më parë tentuan të na fiknin TV, News 24 sot më e fortë se kurrë!

spot_img
Advertisements

Drejtoresha e Përgjithshme e “Focus Media News”, Dhurata Çupi, ka përcjellë një mesazh për qytetarët, një vit pas ngjarjes së 9 gushtit 2025, kur “News24” u përball me sulmin ndaj medias së lirë.

Në mesazhin e saj, Çupi e cilëson vitin e kaluar si një periudhë të vështirë, të shoqëruar me presione dhe padrejtësi, por thekson se mbështetja e qytetarëve dhe reagimi ndërkombëtar i dhanë forcë stafit të medias për të vijuar punën.

“Nuk e fsheh që ka qenë një vit i vështirë. Një vit me shumë presion, me shumë padrejtësi, me momente zemërimi e zhgënjimi. Por edhe një vit që na tregoi sa shumë vlen ajo që kemi ndërtuar dhe sa njerëz janë aty për ta mbrojtur. Në ditët më të vështira, ajo që na dha forcë ishin qytetarët. Njerëzit që na ndalonin dhe na thoshin: ‘Po e sulmojnë News24’, shkruan ajo.

Ajo shprehet se, pavarësisht vështirësive, “News24” nuk ndryshoi vijën e saj editoriale, nuk u komprometua dhe nuk u tremb nga sulmi. Çupi thekson se “News24” është sot më i fortë dhe se besimi i qytetarëve nuk mund të përcaktohet nga pushteti.

“Sot News24 është më i fortë. Më i fortë sepse kaloi një stuhi dhe qëndroi në këmbë. Më i fortë sepse besimin e qytetarëve nuk ta jep pushteti dhe as nuk ta heq dot pushteti. Ai fitohet çdo ditë”, thekosn Çupi.

Mesazhi i plotë i Dhurata Çupit:

“Sot bëhet një vit.

Një vit nga ajo ditë kur dikush mendoi se mund të fikte News24. Se duke mbyllur dyer, duke ndërprerë një sinjal e duke ushtruar presion, mund të heshtte edhe zërin tonë.

Nuk e fsheh që ka qenë një vit i vështirë. Një vit me shumë presion, me shumë padrejtësi, me momente zemërimi e zhgënjimi. Por edhe një vit që na tregoi sa shumë vlen ajo që kemi ndërtuar dhe sa njerëz janë aty për ta mbrojtur.

Në ditët më të vështira, ajo që na dha forcë ishin qytetarët. Njerëzit që na ndalonin dhe na thoshin: ‘Po e sulmojnë News24’.

Njerëz që e ndienin këtë betejë edhe si të tyren, sepse e dinin se nuk bëhej fjalë vetëm për një televizion. Bëhej fjalë për të drejtën për të dëgjuar edhe atë që pushtetit nuk i pëlqen të dëgjohet.

Na dhanë forcë edhe ata që erdhën nga jashtë, delegacionet e huaja që vizituan studiot tona, raportet ku u pasqyrua ajo që po ndodhte, ftesat dhe takimet ku kuptuam se nuk ishim vetëm dhe se përpjekja për të heshtur një media të lirë nuk kalonte pa u vënë re.

Sot, pas një viti, e them me krenari: nuk u trembëm. Nuk u komprometuam. Nuk ndryshuam për t’i pëlqyer askujt. Nuk devijuam nga vija jonë editoriale, edhe kur çmimi për ta mbajtur atë ishte i lartë.

Dhe ndoshta pikërisht për këtë, sot News24 është më i fortë.

Më i fortë sepse kaloi një stuhi dhe qëndroi në këmbë. Më i fortë sepse besimin e qytetarëve nuk ta jep pushteti dhe as nuk ta heq dot pushteti. Ai fitohet çdo ditë.

Një vit më parë tentuan të na fiknin.

Sot jemi këtu. Me të njëjtin zë, me të njëjtën bindje dhe më shumë arsye për të mos heshtur.

Sepse fjala e lirë mund të sulmohet, por kur ka njerëz që besojnë tek ajo, nuk mund të shuhet

spot_img

Latest articles

Related articles