nga Serxho Matraku
Ka momente në jetën e një shoqërie kur ajo nuk ka nevojë për më shumë zëra që flasin, por për më shumë njerëz që dëgjojnë. Ka periudha kur problemi nuk është mungesa e mendimeve, por mungesa e mirëkuptimit. Kur njeriu fillon të shohë tek tjetri jo një histori për t’u kuptuar, por një arsye për të gjykuar.
Carl Gustav Jung shkruante: “Derisa ta bësh të vetëdijshme të pavetëdijshmen, ajo do të drejtojë jetën tënde dhe ti do ta quash fat.”
Pak mendime e përshkruajnë kaq thellë natyrën njerëzore. Në pamje të parë, Jung flet për individin, për botën e brendshme të njeriut, për ato pjesë të vetes që ne shpesh nuk duam t’i shohim. Por, në një kuptim më të gjerë, kjo ide mund të shpjegojë edhe sjelljen e një shoqërie të tërë.
Sepse edhe shoqëritë kanë një pavetëdije të tyre. Ato mbartin kujtime, plagë, frikëra, zhgënjime dhe dhimbje që kalojnë nga një brez tek tjetri. Një shoqëri nuk formohet vetëm nga sukseset e saj, por edhe nga plagët që nuk ka arritur t’i shërojë.
Kur një individ nuk përballet me veten, ai shpesh ia atribuon të tjerëve atë që nuk pranon brenda vetes. E njëjta gjë ndodh edhe me shoqëritë. Një shoqëri që nuk përballet me pasiguritë e veta, mund të fillojë t’i shohë problemet tek individët, tek fqinjët, tek ata që janë ndryshe ose tek ata që guxojnë të dalin jashtë kufijve të zakonshëm.
Jung na mëson se shumë herë ne nuk reagojmë ndaj realitetit ashtu siç është, por ndaj mënyrës si e përjetojmë atë brenda vetes. Prandaj shpesh gjykimi tregon më shumë për atë që gjykon sesa për atë që gjykohet.
Është më e lehtë të analizosh jetën e dikujt tjetër sesa të bësh pyetje të vështira për veten.
Duke parë shoqërinë shqiptare sot, duket sikur po kalojmë një periudhë lodhjeje të thellë. Jo vetëm një lodhje sociale, por një lodhje shpirtërore. Një ndjenjë e mbledhur ndër vite nga pasiguritë, tranzicionet, zhgënjimet dhe përplasjet e vazhdueshme.
Kjo lodhje shpesh shfaqet në mënyrën si flasim me njëri-tjetrin. Në mënyrën si reagojmë. Në mënyrën si nxitojmë të japim një mendim për jetën e dikujt tjetër pa ditur pothuajse asgjë për të.
Sot mjafton një fotografi, një video e shkurtër, një fjali e nxjerrë nga konteksti ose një lajm i paplotë që një njeri të vendoset menjëherë në bankën e të akuzuarit.
E vërteta kërkon kohë. Gjykimi jo.
Gjykimi është i shpejtë sepse nuk kërkon të njohë. Mjafton të krijojë një përshtypje.
Dhe ndoshta këtu qëndron një nga problemet më të mëdha të kohës sonë: kemi filluar të shohim vetëm atë që duket, duke harruar atë që nuk shihet.
Nuk shohim betejat e brendshme të njerëzve. Nuk shohim sakrificat. Nuk shohim netët pa gjumë, zgjedhjet e vështira dhe momentet kur dikush është detyruar të luftojë me veten për të vazhduar përpara.
Një shembull i qartë i kësaj është edhe mënyra si shoqëria shpesh i sheh njerëzit që zgjedhin të ndërtojnë një karrierë e sidomos gratë.
Për shumë gra shqiptare, rruga drejt suksesit profesional nuk ka qenë vetëm një çështje talenti apo ambicieje. Ka qenë një betejë e heshtur kundër pritshmërive, paragjykimeve dhe idesë se një grua duhet gjithmonë të zgjedhë mes familjes dhe ëndrrave të saj.
Pas një gruaje që arrin një pozicion profesional, shpesh nuk shihet ajo që nuk duket. Nuk shihen orët e gjata të punës, lodhja, sakrificat, ndjenja e fajit kur nuk arrin të jetë në çdo vend njëkohësisht.
Shumë prej tyre përpiqen të jenë gjithçka në të njëjtën kohë: profesioniste të mira, nëna të përkushtuara, bashkëshorte, bija dhe mbështetja emocionale e familjes së tyre.
Në mëngjes përballen me përgjegjësitë e punës e pastaj, ehhh pastaj… fillon një tjetër ditë brenda shtëpisë nëse arrin të jetë aty. Një tjetër përgjegjësi që nuk ka orar, nuk ka pushim dhe shpesh nuk merr vlerësimin që meriton, e përtej të gjithave i duhet pak kohë për shpirtin(këtë e ka të vështirë ta kuptoj neandertali që çdo qenie ka shpirt), sepse e drejta për te qene e lumtur i duhet vetëm pak e atë nëse ja lejojnë rrethanat, se s’duhet fryma pa shpirtin e pa të ske çe do as jetën.
Por edhe në këtë përpjekje, shpesh ato përballen me gjykimin.
Sikur çdo zgjedhje e një gruaje të ketë nevojë të justifikohet para opinionit të të tjerëve.
Por pas çdo historie të dukshme ekziston një tjetër që ne nuk e njohim. Ka beteja që nuk shihen, sakrifica që nuk tregohen dhe dhimbje që nuk publikohen.
Një shoqëri e drejtë nuk duhet të kërkojë nga njerëzit të jenë perfektë. Duhet të krijojë hapësirë që ata të jenë njerëzorë.
Dhe kjo nuk vlen vetëm për gratë. Vlen për çdo individ.
Leo Tolstoi e kuptonte shumë mirë kompleksitetin e natyrës njerëzore. Për të, arsyeja nuk ishte një armë për të mposhtur tjetrin, por një mënyrë për t’iu afruar së vërtetës.
Njeriu i mençur nuk është ai që beson se ka gjithmonë përgjigjen e saktë. Është ai që ka mjaftueshëm përulësi për të pranuar se mund të mos e ketë parë të gjithë historinë.
Sepse çdo njeri është më shumë sesa një moment i vetëm.
Ne shohim një gabim, por nuk shohim rrugën që e solli dikë deri aty. Shohim një vendim, por nuk dimë rrethanat që e kanë ndikuar. Shohim një buzëqeshje, por nuk dimë çfarë dhimbjeje mund të fshihet pas saj.Fjodor Dostojevski ishte ndoshta një nga ata që e kuptoi më thellë shpirtin njerëzor. Në veprat e tij nuk ka njerëz të përsosur. Ka njerëz që bien, gabojnë, vuajnë, pendohen dhe përpiqen të gjejnë rrugën përsëri.
Njeriun nuk shihet si një qenie e ndarë thjesht në të mirë dhe të keq. Njeriu shihet si një mister. Një qenie plot kontradikta, që mund të ketë dobësi dhe madhështi në të njëjtën kohë.
Ndoshta ky është një nga mësimet më të mëdha të jetës : njeriu nuk duhet dashur sepse është perfekt, por sepse është njerëzor.
Një shoqëri e lirë nuk është ajo ku njerëzit nuk gabojnë. Është ajo ku njerëzit mund të gabojnë, të mësojnë dhe të ndryshojnë pa humbur dinjitetin e tyre.
Ne duhet të dimë të kërkojmë përgjegjësi pa humbur dhembshurinë. Të kritikojmë veprimet pa shkatërruar njeriun. Të kërkojmë drejtësi pa harruar njerëzinë.
Sepse në fund të fundit, të gjithë jemi qenie të papërsosura që përpiqemi të kuptojmë veten dhe botën rreth nesh.
Një shoqëri nuk bëhet më e fortë duke gjetur gjithmonë dikë për të dënuar. Bëhet më e fortë kur mëson të kuptojë.
Dhe ndoshta atëherë do të kuptojmë edhe fjalët e Dostojevskit:
“Të dashurosh do të thotë të dhurosh, jo të zotërosh.”
Sepse dashuria e vërtetë nuk kërkon kontroll. Nuk kërkon përsosmëri. Nuk kërkon që tjetri të jetë sipas dëshirës sonë.
Ajo kërkon vetëm të shohim tek tjetri atë që harrojmë shpesh tek vetja: një njeri me dobësi, me gabime, me plagë dhe me një dëshirë të pafund për t’u kuptuar.
Dhe ndoshta një shoqëri bëhet vërtet njerëzore dhe prosperon vetëm atëherë kur zgjedh të kuptojë përpara se të gjykojë, dhe ndoshta kjo është ajo çka na duhet më së shumti ne në Shqipërinë për një shoqëri më të begatë.



