Anuloni “Durrës Marina”, kthejani portin strategjik Shqipërisë! Nga Gjergji Nika

spot_img
Advertisements

Pesë vite pas prezantimit me bujë të projektit “Durrës Marina”, realiteti është krejt ndryshe nga premtimet. Projekti që u paraqit si investimi më i madh i huaj në historinë e Shqipërisë sot është shembulli i dështimit të planifikimit strategjik, mungesës së transparencës dhe keqpërdorimit të një prej aseteve më të rëndësishme kombëtare.

Porti i Durrësit, i ndërtuar në vitet 1950 dhe i zgjeruar ndër dekada me investime publike, është porti më i madh i Shqipërisë, porta kryesore e importeve dhe eksporteve të vendit dhe pjesë e Korridorit VIII Panevropian, me rëndësi të veçantë ekonomike dhe strategjike. Për më shumë se shtatëdhjetë vjet ai ka qenë një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe një aset që në vendet e zhvilluara konsiderohet infrastrukturë kritike kombëtare.

Vetë deklaratat e fundit të kompanisë së Alabar tregojnë qartë se projekti nuk ka ecur sipas pritshmërive. Pas pesë vitesh, zhvillimi i premtuar nuk është materializuar, ndërsa Shqipëria vazhdon të mbetet pa portin e saj kryesor tregtar në Durrës, duke krijuar një boshllëk të madh ekonomik.

Në thelb, narrativa e “investimit 2 miliardë euro” ka qenë gjithmonë e diskutueshme. Kjo shumë nuk përfaqëson një kapital që futet drejtpërdrejt në ekonominë shqiptare nga investitori. Pjesa dërrmuese e saj parashikohet të vinte nga shitja e apartamenteve, rezidencave dhe njësive tregtare që do të ndërtoheshin mbi tokën publike. Pra, financimi i projektit mbështetej kryesisht te të ardhurat e krijuara nga vetë zhvillimi imobiliar dhe jo te një injektim real kapitali nga investitori.

Atëherë, çfarë fiton Shqipëria nga dorëzimi i portit më të madh të vendit për një projekt rezidencial?

Nëse analizohen zhvillimet e fundit, krijohet përshtypja se Alabar po ndjek të njëjtën logjikë biznesi që është përdorur edhe në projektin “Vlora Marina”.
Sigurohet leja e ndërtimit mbi një pronë shtetërore, projekti promovohet në treg, shiten përqindje të zhvillimit ose të drejta mbi projektin dhe investitori përfiton nga toka e cila mbetet kontributi kryesor i shtetit shqiptar.

Në praktikë, shteti vendos në dispozicion një aset strategjik me vlerë të jashtëzakonshme, ndërsa investimi real ndërtohet gradualisht nga shitjet e pronave te blerësit privatë. Ky nuk është modeli klasik i investimeve të huaja direkte që krijojnë industri, teknologji, eksporte apo vende të reja pune me vlerë të shtuar.

Ndërkohë, humbjet për ekonominë kombëtare janë të prekshme. Porti i Durrësit, siç e thashë më lart ka qenë një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, si dhe një element kyç i sigurisë kombëtare dhe logjistikës rajonale. Heqja dorë nga funksioni strategjik i këtij porti për ta zëvendësuar me një kompleks rezidencial krijon pasoja afatgjata që nuk mund të maten me metra katrorë ndërtimi apo me apartamente luksoze.

Shqipëria ka nevojë për një port strategjik tregtar , konkurrues dhe të integruar në korridoret evropiane të transportit.

Prandaj, ka ardhur momenti që qeveria të rishikojë të gjithë projektin. Nëse pas pesë vitesh rezultatet janë minimale dhe vetë investitori pranon vështirësitë e realizimit, atëherë duhet reflektuar dhe interesi publik të vendoset mbi çdo interes tjetër.

Anulimi i projektit “Durrës Marina” dhe rikthimi i Portit të Durrësit në funksionin e tij strategjik do të ishte një vendim në interes të Shqipërisë si vend i Natos, ekonomisë kombëtare dhe brezave që do të vijnë.

spot_img

Latest articles

Related articles