Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dorëzuar për gjykim dosjen penale ndaj ish kryeinspektorit të IMT-së, Ardian Halili, mbi të cilin rëndojnë akuzat “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Ndërsa Saimir Mezja, me profesion jurist dhe aktualisht inspektor në IMT Durrës, akuzohet për shpërdorim detyre. Edhe ndaj Mejzës janë mbyllur hetimet.
Kujtojmë se nga hetimet ka rezultuar që ish-kryeinspektori i IMT-së, kishte ndërtuar pa leje kompleksin luksoz “Saint ichelle Rezidence”, i cili u shemb më pas nga IKMT-ja në gusht të vitit të kaluar.
Objekti, i njohur si “Restorant Saint Michelle Camping Hotel”, përfshinte ambiente luksoze, pishina dhe struktura banimi. Hetimet po ashtu u shtrinë edhe mbi dokumentacionin pranë Kadastrës. Halili është shkarkuar nga posti i drejtorit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në vitin 2021. Ai ka deklaruar se kontrata i është ndërprerë nga Bashkia që në mars të atij viti, ndërsa vetë institucioni vendor ka bërë me dije se ai kishte dhënë dorëheqjen.



