Franca, shtëpia e dytë e Ermal Beqirit! Studenti nga Dunavati i Gjirokastrës që u bë pedagog në universitetin e Montpellier; kthimi në Shqipëri si “njishi” i IT-së

spot_img
Advertisements

Biznesmeni kontravers Ermal Beqiri është arrestuar fundjavën që shkoi në Francë, pasi avioni privat me të cilin udhëtonte dhe të cilin e drejtonte, po fluturonte në një lartësi të palejuar mbi një central bërthamor.

Lajmi në Shqipëri dhe reagimi i Policisë së Shtetit erdhi vetëm dje, ditë e martë, por ngjarja zgjoi shumë pikëpyetje për mënyrën e ndalimit të biznesmenit dhe faktin sesi ai kishte arritur të merrte një avion privat ndërkohë që rezulton në kërkim ndërkombëtar.

Newsbomb.al sjell një profil të plotë të sipërmarrësit që arriti shkallët më të larta të biznesit në Shqipëri, duke u shndërruar në një ndër njerëzit më të aftë në fushën e Teknologjisë dhe Informacionit, dhe partnerin kryesor të shtetit shqiptar në fushën e IT-së.

Ermal Beqiri ka lindur në lagjen Dunavat të Gjirokastrës dhe në përfundim të gjimnazit, në moshën 18 vjeçare, ka shkuar në Francë për studimet Bachelor. Ishin vitet 2000 dhe Franca do të bëhej shtëpia e dytë e djaloshit nga Dunavati.

Ciklin e parë të studimeve Bachelor ai e kreu në Institutin Universitar të Teknologjisë Montpellier–Sète dhe më pas ndoqi dhe studimet Master në University of Nîmes.

Franca, shtëpia e dytë e Ermal Beqirit! Studenti nga Dunavati i

Biznesmeni kontravers Ermal Beqiri

Talenti dhe aftësitë e Ermal Beqirit spikatën shpejt dhe gjatë një konkursi kombëtar universitar në Francë, projekti i prezantuar prej tij u kualifikua në vendin e tretë si një ndër më të mirët. Këtu ai nisi edhe karrierën profesionale.

Ermal Beqiri punoi si menaxher projektesh dhe si pedagog i jashtëm në IUT GEII. Është pikërisht Universiteti i Montpellier–Sète, ku ai kreu studimet dhe falë rezultateve dhe përkushtimin, mundi të fitonte një vend pune si pedagog i jashtëm në Departamentin e Inxhinierisë Elektrike dhe Informatikës Industriale.

Studimet, jetesa dhe zhvillimi i karrierës e bënë Francën shtëpinë e dytë të Ermal Beqirit. Vite më vonë, ai u kthye në Shqipëri me gjithçka që kisha mësuar dhe një vendosmëri për të ndërtuar, duke themeluar e drejtuar disa kompani. Dhe bëhet fjalë as më pak e as më shumë, për një rrugëtim rreth 20 vjeçar.

“Në vitin 2000, u nisa për në Francë me një qëllim të vetëm: të ndryshoja rrjedhën e jetës sime. U zhyta në studime, i shtyrë nga një dëshirë e fortë për t’u integruar dhe besimi se dija hap të gjitha dyert. Franca më dha strukturë, disiplinë dhe një shtëpi të dytë”, tregonte biznesmeni në një rrëfim për arritjet e tij.

Kthimi në Shqipëri dhe katapultimi në krye të sektorit të IT

Pas kthimit në Shqipëri, ai mori një sërë rolesh drejtuese në institucione publike si Drejtor i Informacionit dhe Teknologjisë në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, si dhe Drejtor i TI-së në Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Paralelisht, ka ushtruar aktivitet si ekspert i pavarur në çështje që lidhen me krimin informatik.

Vitet kaluan dhe Ermal Beqiri u katapultua shpejt në hierarkinë e lartë të biznesit dhe IT-së në vend, duke u bërë një nga partnerët kryesor të Agjencisë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit, ndërsa hetimet e Prokurorisë së Posaçme zbuluan se të paktën 5 vitet e fundit, ai ishte përfshirë në veprimtari të paligjshme me tenderat, heqje lirie ndaj kundërshtarëve, etj.

Franca, shtëpia e dytë e Ermal Beqirit! Studenti nga Dunavati i

Kunati Gentjan Lika dhe Ermal Beqiri, me Presidentin Macron

Në vitin 2021, Ermal Beqiri bleu kompaninë Soft & Solution, të cilën e zhvilloi më tej në tregun shqiptar të teknologjisë së informacionit dhe tre vite më vonë, në 2024, bën pjesë të grupit të kompanive Soft & Solution, Horizon, dhe ITirana, duke zgjeruar angazhimin e tij në sektorin e teknologjisë dhe inovacionit.

Po këtë vit, ai themeloi kompaninë R&D Solution, e fokusuar në zhvillimin e projekteve kërkimore, avancimin teknologjik dhe nxitjen e bashkëpunimeve ndërmjet sektorëve akademikë, privatë dhe institucionalë. Ndërsa në vitin 2025, Ermal Beqiri themeloi Albanian Council for Technology and Innovation (ACTI), një shoqatë industrie që promovon sigurinë kibernetike, startup-et dhe politikat digjitale.

VIDEO META–PRIFTI

Emri i Ermal Beqirit mori vëmendje publike për herë të parë në vitin 2011, kur ai u përzgjodh si një nga tre njohësit e TI-së të ngarkuar nga gjykata për shqyrtimin e videos Meta–Prifti, një regjistrim i fshehtë që tregonte ish-zëvendëskryeministrin Ilir Meta duke diskutuar marrëveshje korruptive me ministrin e atëhershëm të ekonomisë Dritan Prifti.

Raporti i Beqirit dhe dy ekspertëve të tjerë, doli në përfundim se regjistrimi nuk ishte origjinal, një gjetje që ishte në favor të mbrojtjes së Ilir Metës kundër akuzave për korrupsion. Analizat të mëparshme, të kryera për prokurorinë nga ekspertë britanikë dhe amerikanë të TI-së, e kishin vlerësuar regjistrimin si autentik, por gjetjet e tyre u hodhën poshtë nga gjykata si të papranueshme dhe u pranua raporti i Ermal Beqirit.

Goditja e grupit kriminal në AKSHI

Ermal Beqiri është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të hetimeve për goditjen e një grupi kriminal që vepronte brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), i dyshuar për disa vepra të rënda penale.

Në një nga episodet kriminale që ka mundur të zbardhë SPAK, del se biznesmenët Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi urdhërojnë pengmarrjen e biznesmenit tjetër Gerond Meçe, duke e detyruar që të tërhiqej nga tenderat dhe procedurat kryesore të prokurimit gjatë të paktën tre viteve të fundit, i fitonim vetëm ata.

Franca, shtëpia e dytë e Ermal Beqirit! Studenti nga Dunavati i

Biznesmeni kontravers Ermal Beqiri

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Aktualisht, Ermal Beqiri është vendosur në paraburgim dhe sot pritet të dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t’i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar ndaj tij, në funksion të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë/ Newsbomb.al

spot_img

Latest articles

Related articles