Monika Kryemadhi mohon të ketë ndërhyrë për marrjen e lejes nga ana e kompanive të Adrian Shatkut për fibrat optike. Në GJKKO, ish-gruaja e kryetarit të Partisë së Lirisë kërkon që të gjendet të paktën një mesazh ku ajo ta ketë urdhëruar Edmond Haxhinaston për marrëveshjen e fibrave optike.
Kryemadhi thotë se gjithçka është bërë përmes rrugëve institucionale duke lënë pas gjurmë. Gjithashtu mohon që kushëriri i saj të ketë paguar shkollën e vajzës së saj, ça mund të vërtetohej edhe nga analiza financiare.
Monika Kryemadhi: E kam sugjeruar jo për të ushtruar ndikim politik, përkundrazi, i them dërgo kërkesën shkresërisht jo elektronikisht. Kanë kaluar shkresat në disa institucione e ministri. Ma gjeni një mesazh që t’i kem thënë Haxhinastos “bëje se të vrava, bëje se të shkarkoj nga puna apo bëje për kaq përfitim”. Nuk provohet asnjë ndërhyrje nga ana e Monika Kryemadhit për një procedurë që kishte 6 vjet. Madje shikoni komunikimet mes Shatkut dhe Haxhinastos, gjithçka është zyrtare, protokollare, ku askund biznesmeni nuk thotë “bëje se kam folur me Monikën”, zero. Kemi dy faqe në akuzë e lagu, s’e lagu, thua ti kaloi nëndetësja me drogë. Nëse do kishte ekzistuar ndërhyrje korruptive nga ana ime, s’do ishin ndjekur rrugët institucionale. “Alo Mondi, bëje sekret, mos e marrë vesh njeri”, kush do e merrte vesh, por jo, janë lënë gjurmë shkresore. Po të kishte ndërhyrje s’kishte pse ngrinte grup pune. 24 shtator, komunikimet për Borën time, se ç’lidhje ka goca ime në akuzë, hajt më, për ta bërë sa më mediatike. Unë i them “Bora ndërroi mendje”, ishte shumë larg një fëmijë 16 vjeç në Amerikë. Këto biseda nuk lidhen as me Haxhinaston, as me AKEP-in, as me ndikime të paligjshme. Nuk mendoj që është fakt penal, se çdo shpenzim i bërë, s’është e vërtetë që Shatku ka paguar shkollën e vajzës. Siç dërguan letërporositë, mund të merrnin tek shkolla analizën financiare të shpenzimeve të vajzës.
Kryemadhi tha se komunikimi s’mund të përdoret për dy çështje të ndryshme, ndërsa kërko kohën e saj pasi “SPAK i ka numëruar qimet e shtëpisë.”
Monika Kryemadhi: Komunikimi përkatës nuk mund të trajtohet si provë universale. Nuk mund të mbështetet një komunikim konkret në dy çështje të ndryshme si provë, pra çështja e kartës, përdorimit të saj, për blerje apo shpenzime private. Është një strukturë komunikimi me tema të ndryshme që duhen veçuar, është si të thuash ne jemi këtu në gjyq, edhe pyesim ore çfarë po bëjnë ato flamingot atje në bulevard. Janë gati 70 faqe që merren me më the të thashë vetëm për fibrat optike. Nëse do kishim ndërhyrë unë e Meta s’do kishte bërë asgjë Haxhinasto, por s’ka ndodhur, sepse janë ngritur 5 grupe pune. Më ka numëruar SPAK qimet e shtëpisë dhe hedhur në media, dua kohën time, nuk mund të ma hiqni mua mundësinë.
Erion Bani: Zonja Kryemadhi jeni bërë juriste, ju lutem në mënyrë të përmbledhur. Jo çdo lloj komunikimi mund të lexohet këtu, aty mund të keni 5000 emaile, por mund të lexoni ato mesazhe që janë pjesë e shqyrtimit.



