Nga Juxhina Sotiri
Kur një pushtet konsumohet pas tre mandatesh qeverisjeje, numrat e ftohtë të bilanceve priren të zëvendësohen me metafora të nxehta. Përpjekja më e fundit e kryeministrit për të ambalazhuar dështimet e kontratës moderne përmes një reflektimi të quajtur “Besa” dhe një formule të pagëzuar si “Metoda” (një reminishencë pretencioze me racionalizmin e René Descartes), nuk përbën një akt të sinqertë pendese. Ajo është një manovër e pastër e manipulimit të agjendës publike (Agenda-Setting). Ky është momenti ku faji nuk pranohet administrativisht, por estetizohet intelektualisht, duke krijuar një karikaturë politike ku udhëheqësi fluturon në sferat e snobizmit akademik, ndërsa qytetari mbetet i zhgënjyer përballë premtimeve të shkelura. Përpjekja e agenda- setting në fakt ndërtohet me një strategji të kodimit të dyfishtë të pushtetit: një gjuhë kulturore dhe morale për publikun e gjerë; dhe një gjuhë pseudo-teknike e metodologjike për publikun urban, akademik dhe elitar. Pra dokumenti formulohet si një dyfishtësi e komunikimit politik:
“Besa” për masat, “Metoda” për elitat.
Mutacioni Juridik: Nga Kontrata Sociale te Kodi Arkaik
Në teorinë politike moderne, që nga Hobbes e deri te Locke, marrëdhënia udhëheqës-votues bazohet mbi Teorinë e Kontratës Sociale. Ajo është një marrëdhënie administrative e përkohshme, dypalëshe dhe e matshme me tregues ekonomikë, vende pune dhe integritet institucional. Duke e zhvendosur këtë marrëdhënie te koncepti i “Besës”, kryeministri kryen një mutacion juridik artificial. Ai kërkon ta kthejë llogaridhënien institucionale në një kod moral unilateral. Paradoksi këtu është sa manipulues, aq edhe karikatural. Kanuni nuk është një sistem unik dhe homogjen juridik; ka kontekste dhe interpretime të ndryshme. Në traditën kanunore shqiptare, besa nuk ishte thjesht një metaforë retorike, por një normë me peshë të jashtëzakonshme morale dhe shoqërore. Pikërisht për këtë arsye, transferimi i saj në komunikimin politik modern ngre një pyetje themelore: a po përdoret ‘Besa’ si standard reciprok përgjegjësie, apo si instrument për të kërkuar besnikëri nga qytetari? Në fakt, duke e dokumentuar “Besën” si kodin e ri të komunikimit, ai kërkon besnikëri të verbër nga ndjekësit e tij, njëkohësisht e zhvesh veten nga çdo penalizim real kur vetë e shkel atë. Çështjet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë apo dështimet infrastrukturore nuk trajtohen më si shkelje të Kodit Penal që meritojnë ndjekjen nga institucionet e pavarura të drejtësisë, por si “zhgënjime morale” apo “thyerje besë” brenda familjes politike, duke i amnistuar ato nga përgjegjësia ligjore.
Keqleximi i Tocqueville dhe Tirania e Shumicës
Në këtë përpjekje për të “dokumentuar Besën” si një vlerë të lartë qeverisëse, retorika zyrtare kryen një keqlexim me dashje në referencën e Alexis de Tocqueville. Në veprën e tij “Demokracia në Amerikë”, Tocqueville argumentonte se demokracia ka nevojë për doke (moeurs) dhe zakone morale tradicionalisht të pranuara për të ruajtur kohezionin social. Mirëpo, filozofi francez i shihte këto doke si pozitive vetëm kur ato fuqizonin individin dhe shoqatat lokale përballë pushtetit qendror. Kryeministri e përmbys këtë logjikë. Ai e përdor “Besën” si një dok që aplikohet nga lart-poshtë, jo për të liruar qytetarin, por për ta nënshtruar atë moralisht. Pasi ka konsumuar tre mandate dhe ka grumbulluar pushtet të jashtëzakonshëm, lideri e përdor këtë “Besë” plebishitare si një çek të bardhë moral për të legjitimuar atë që Tocqueville e quante “Tirania e Shumicës”. Përmes këtij keqleximi, sugjerohet se vullneti i popullit që i ka dhënë “Besën” qëndron mbi procedurat e ftohta të ligjit, duke tentuar të asgjësojë parimen e ndarjes së pushteteve.
Vjosa-Narta: Laboratori ku dështimi shitet si “Shkencë“
Kjo tendencë për ta kthyer konfliktin politik në një eksperiment intelektual shihet qartë në dokumentin zyrtar të testit në Vjosa-Nartë. Aty shkruhet pa drojë: “Një metodë strategjike provohet aty ku vendimmarrja është më e ndërlikuar dhe besimi më i cenuar. Për këtë arsye, Vjosa-Narta zgjidhet si testi i parë i Metodës BESA.” Kjo fjali zbulon thelbin e strategjisë: një krizë e pastër e zbatimit të ligjit (përtej atij mjedisor) ku qeveria ka hyrë në përplasje me qytetarin, komunitetin dhe organizatat ndërkombëtare për shkak të vendimeve arbitrare, shpallet “laborator shkencor”. Në vend të llogaridhënies se si u hartuan kontratat, kryeministri ofron një shfaqje të re të quajtur “proces i plotë dëgjimi, evidence dhe matjeje”. Mbi të gjitha, dokumenti zyrtar prezanton konceptin e “Rishikimit Pas Veprimit”, duke kërkuar një “analizë pa paragjykim dhe pa kërkim ritual fajtorësh e mënyrës si u lexuan sinjalet përpara qershorit”. Ky formulim është kulmi i estetizimit të fajit. Ajo që në të vërtetë është shurdhëri politike, arrogancë institucionale dhe shkelje e qëllimshme e shqetësimeve të qytetarëve, këtu quhet thjesht një problem i “leximit të sinjaleve”. Duke kërkuar shmangien e “kërkimit ritual të fajtorëve”, kryeministri amniston veten dhe strukturat e tij me një rresht. Gabimet e mandatit të tretë nuk trajtohen më si përgjegjësi direkte, por si një “proces mësimi” akademik, duke e kthyer dështimin administrativ në një metodologji inovative ku askush nuk mban faj.
Kulmi i Karikaturës: “Metoda” që nuk ndryshon asgjë
Dokumenti zyrtar i projektit zbulon edhe anën më absurde dhe karikaturale të këtij operacioni propagandistik, kur deklaron: “Asnjë hap i Metodës BESA nuk pezullon kompetencat ligjore, procedurat administrative, detyrimet kontraktore ose kontrollin gjyqësor. Procesi i mësimit nuk pengon përgjegjësinë administrative, kontraktore ose ligjore aty ku ajo provohet.”Nëse ligji ekziston, nëse procedurat administrative janë në fuqi dhe nëse detyrimet kontraktore të firmosura në prapaskenë nuk pezullohen, atëherë pse i duhet publikut një “Metodë BESA”? Përgjigja është e thjeshtë: ajo shërben si një dekor teatror. “Mandati i posaçëm i zbatimit”, “përzgjedhja e ekspertëve” dhe fluturimet teorike janë krijuar për të menaxhuar krizën e PR-it dhe për të ndarë opinionin publik, ndërsa makineria e interesave ekonomike pas projektit vazhdon të punojë e paprekur mbi shinat e vjetra ligjore.
Reminishenca me Dekartin: Snobizmi si Mburojë Retorike
Për t’i dhënë këtij mekanizmi një mbulesë akademike, kryeministri bën një kapërcim eklektik nga Kanuni te Racionalizmi Francez, duke e quajtur reflektimin e tij “Metoda” nën dritën e René Descartes. Ky përdorim nuk ka asnjë vlerë filozofike apo metodologjike reale. Dekarti përdori “Dyshimin Metodik” për të fshirë paragjykimet dhe për të gjetur të vërtetën objektive, ndërsa kryeministrit i duhet “Metoda” si një narrativë subjektive për të fshehur të vërtetat e matshme të keqqeverisjes. Për më tepër, nxitësi i racionalizmit perëndimor besonte se arsyeja është instrumenti më universal që zotëron çdo njeri, ndërsa “Metoda” e liderit shitet si një proces ekskluziv, gjenial dhe i paarritshëm për masën. Ky snobizëm intelektual shërben si një teknikë klasike e shpërqendrimit (ndryshe Red Herring). Kur opozita, mediat dhe opinionistët fillojnë të analizojnë nëse reflektimi i tij përputhet me rregullat e Dekartit apo me doket e Tocqueville, kryeministri ka arritur qëllimin e tij: ai ka vrarë debatin real. E gjithë energjia publike harxhohet në zbërthimin e metaforave të tij gjuhësore, duke harruar të diskutojë për shifrat e varfërisë, tenderat publikë apo krizën e emigrimit. Mesazhi i nënkuptuar elitist është i thjeshtë: “Nuk kam gabuar unë, por ju jeni shumë të cekët për të kuptuar thellësinë e Metodës sime”.
Një model më I gjerë i populizmin global: politika e simbolit dhe personalizimi i pushtetit
Kjo strategji nuk është unike; ajo e rreshton kryeministrin krahas liderëve të tjerë të populizmit autoritar global, të cilët përdorin misticizmin kulturor për të justifikuar jetëgjatësinë në pushtet: dikur Viktor Orbán (Hungari): pioneer i “Demokracisë Iliberale” dhe mbrojtjes së traditës kristiane për të legjitimuar kapjen e institucioneve; Recep Tayyip Erdoğan (Turqi): thirrjet te Neo-Otomanizmi dhe simbolet e lavdisë së shkuar për të anashkaluar dështimet e ekonomisë moderne; apo Vladimir Putin (Rusi): përdorimi i “Rusisë e Shenjtë” dhe vlerat tradicionale si një mision mistik që qëndron mbi të drejtat e njeriut dhe rotacionin demokratik. Në të gjitha këto raste, përfshirë edhe atë shqiptar, liderët e paraqesin veten jo si menaxherë të thjeshtë të shtetit, por si figura historike të mishëruara me fatin e kombit, duke e kthyer dështimin administrativ në një “provë shpirtërore”.
Përfundim
Estetizimi i fajit përmes snobizmit intelektual është përpjekja e dëshpëruar e një pushteti të konsumuar për t’i ikur llogaridhënies. Kontrasti midis realitetit banal të vendit dhe fluturimeve akademike të kryeministrit prodhon një akt thellësisht karikatural. Duke ndërthurur “Besën” e Kanunit për masat e gjera, “Metodën” e Dekartit për elitat, dhe duke përdorur Vjosa-Nartën si fushëbetejë eksperimentale, udhëheqësi ka ndërtuar një ambalazh të shkëlqyer retorik për të fshehur të vetmen të vërtetë të madhe: harresën totale të kontratës që ka nënshkruar me votuesit e tij.



