Shteti kundër qytetarit? Jo më! | nga Gjergji Nika

spot_img
Advertisements

Pushteti priret të korruptojë, dhe pushteti absolut korrupton absolutisht. – Lord Acton

Shteti nuk duhet të kthehet në armik të qytetarit.
Shteti u krijua për të mbrojtur qytetarin nga frika. Aktualisht, në Shqipëri, është qytetari ai që ka frikë nga shteti.
Frikë nga tatimori, frikë nga administrata, frikë nga policia, frikë nga drejtësia selektive, frikë nga spitali ku nuk merr shërbim pa mik apo para, frikë nga një arsim që prodhon diploma, por jo dije.

Fatkeqësisht ky nuk është shtet ligjor, por mekanizëm pushteti që ushqehet me nënshtrim.

Pas 13 vitesh në pushtet, Rama ka ndërtuar një sistem të tillë ku Shqipëria nuk qeveriset më nga institucione demokratike e të ndershme, por nga frika, propaganda dhe fasada.
Ai e quan veten artist. Por arti nuk është të mbulosh dështimin me bojë. Arti nuk është të mbushësh vendin me beton, të shkatërrosh identitetin urban të qyteteve, të betonizosh bregdetin dhe të shesësh çdo copë truall publik si zhvillim, sepse kjo gjë është denatyralizim i Shqipërisë.

Rreth vetes nuk ka ndërtuar një ekip mendimtarësh të guximshëm e të pavarur, por një rreth lakejsh që nuk guxojnë të kundërshtojnë, që janë servilë dhe që mbajnë në këmbë pushtetin që ka frikë nga e vërteta.

Edhe një pjesë e elitës publike dhe mediatike u bë bashkëautore e këtij realiteti. Për vite me radhë i shitën shqiptarëve mitin e “liderit modern”, ndërsa në heshtje shihnin si shembej shteti ligjor, zbrazej vendi nga të rinjtë dhe pasurohej një grusht njerëzish pranë pushtetit. Pasuroheshin edhe ata.
Dhe erdhëm në situatën që Shqipëria nuk ka krizë mungese propagande, por krizë drejtësie, meritokracie, ekonomie dhe shprese për të ardhmen.

Por sot që situata ka ndryshuar dhe shqiptarët janë ndërgjegjësuar e s’kanë më frikë, sa gjatë do të pranojnë që shteti, teorikisht i ndërtuar për të mbrojtur qytetarin, të përdoret kundër tij?

Besoj se jo më!
Praktikisht jemi në fillim të fundit!

spot_img

Latest articles

Related articles