Një konflikt i rëndë, që ka degraduar deri në përdorimin e armëve të zjarrit, është regjistruar në zonën e Shkallnurit, në Durrës.
Protagonistë të ngjarjes janë Denis Tafili, kushëriri i Elvis Docit, i njohur si Visi i Pojës, dhe një punonjës policie.
Denis Tafili, i shpallur në kërkim nga SPAK, është konfliktuar me Edison Gjuzin. Dyshohet se fillimisht konflikti ka nisur mes Gjuzit dhe punonjësit të policisë.
Më pas në vendngjarje ka mbërritur Tafili, i cili e ka goditur Gjuzin me qytën e pistoletës.
Konflikti më tej ka degraduar në përdorimin e armës së zjarrit. Deri në këto momente mbetet e paqartë nëse të shtënat janë kryer nga Denis Tafili apo nga punonjësi i policisë.
Denis Tafili është një nga personat e shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të dosjes së organizatës kriminale “Troplini”, ku akuzohet për trafik kokaine dhe pastrim parash.
Ngjarja ngre pikëpyetje serioze edhe për faktin se një person i shpallur në kërkim nga SPAK rezulton të lëvizë i lirë, madje të përfshihet në një konflikt që, sipas të dhënave paraprake, ka përfunduar me përdorimin e armëve të zjarrit.



